03 Shkurt
Strategjia në arsim për periudhën 2018-2025 pritet që më në fund të sjellë afrimin e të gjitha komuniteteve në Maqedoni. Sipas profesorit Avzi Mustafa kjo duhej të bëhej shumë më herët dhe shkollës t’i kthehet detyra parësore, me plan-programe mësimore cilësore pa paragjykime dhe stereotipe. Mustafa shprehet optimist për realizimin e kësaj strategjie, por vetëm nëse politika mban duart larg fushës së arsimit.
Prandaj unë mbetem me shpresë se kjo tani që ka filluar do të sjellë prishjen e asaj linje që i ndan komunitetet që jetojnë në Maqedoni por kjo do të bëhet nëse politika rrinë jashtë arsimit, përndryshe nëqoftëse ajo ndikon siç ka ndikuar deri më tani nuk besoj që do të arrihet qëllimi kryesor – deklaroi profesoro Avzi Mustafa.
Profesori Mustafa gjithashtu mbështet idenë e dikasterit të arsimit për krijimin e shkollave të përbashkëta, ku do të mësonin bashkë gjitha komunitet që jetojnë në vend.
Nëpërmjet atyre aktiviteteve, qofshin sportive apo kulturore ato do të jenë bashkë dhe kështu që do të njihen përsëafërmi njëri me tjetrin dhe besoj se kjo do të çojë në atë që fëmijët të mos ndihen të anatemuar njëri ndaj tjetrit. Mund të diskutojnë, të bisedojnë, të mësojnë gjuhën e njëri tjetrit, të njihen përsëafërmi dhe kjo është mënyra e vetme në këtë shoqëri multikulturore dhe multiqytetare – tha ai.
Një ditë më parë, ministrja e Arsimit, Renata Deskovska deklaroi se incidentet mes të rinjve dhe urrejtjet ndëretnike janë rezultat i ndërtimit të një atmosfere të nxitjes së nacionalizimit që ekzistonte në periudhën e kaluar. Sipas Deskovkës kjo do të tejkalohet përmes strategjisë e cila parasheh në kuadër të teksteve shkollore të vendosen komponentë multietnike për njohjen e ndryshimeve të njëri tjetrit.
Kjo nënkupton se në konceptet e plan-programeve mësimore do të vendosen elemente që kanë kuptim të njohjes së ndryshimeve, njohjen e tjetrit, komponenta multi-etnike do të jetë pjesë e testeve shkollore dhe planet mësimore. Pastaj, mundohemi që përmes krijimit të kushteve nëpër shkolla të sigurojmë mësim të përbashkët në objekte të njëjta shkollore – deklaroi Renata Deskovska, ministre e Arsimit.
Mes tjerash, në Strategjinë në arsim 2018-2025 është paraparë riafirmimi i autonomisë së Universiteteve dhe rritja e kualitetit në arsimin fillor dhe të mesëm.
Melihate Rustemi

