Shtyhet seanca gjyqësore në GJKKO për Ilir Beqaj, ish-ministrin e Shëndetësisë dhe 5 persona të tjerë, për të cilët do të kishte rivlerësim të masës së sigurisë, teksa seanca do të mbahet nesër.
Mësohet se shkak është bërë kërkesa e avokatëve, të cilët kërkuan kohë që të njihen me dosjen. Sakaq, vetëm një masë sigurie nuk është ekzekutuar.
Në seancën e rivlerësimit të masave të sigurisë pritet të vendoset nëse do të legjitimohet arresti për ish-ministrin e Shëndetësisë dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë skemë, apo do të ketë një ndryshim të tyre. Bashkë me Beqaj një ditë më parë u arrestua edhe Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla, ndërkohë për 4 persona të tjerë u caktuan masa më të buta sigurie.
Beqaj u arrestua mëngjesin e djeshëm lidhur me shpërdorimin e fondeve të BE-së, përmes agjensisë Saspak, të cilën ish-ministri i Shëndetësisë e drejtonte, edhe pse më parë ndaj tij, SPAK kishte nisur hetimet lidhur me koncensionet në shëndetësi.
Prokuroria e Posaçme përmes një deklarate një ditë më parë sqaroi se nga hetimet rezultoi se kur drejtonte Agjencinë SASPAC, ka ngritur skemë përfitimi me fatura dhe procedura prokurimi fiktive, duke zhvatur fondet e BE (Programi IPA II).
SPAK thekson se fondet për aktivitetet e agjencisë SASPAC shkonin te fituesit e paracaktuar sipas urdhrave dhe direktivave që jepte Beqaj. Në funksion të kësaj skeme, thekson SPAK, Beqaj ka bashkëpunuar me Ermal Kurtulaj, financieri dhe bashkëpunëtori i ngushtë i tij.
Sipas SPAK, restoranti “Gzona’ brenda në Kalanë e Tiranës ndonëse ka për administrator një person tjetër, është pronë e fshehur e Beqajt. SPAK thekson se Beqaj ka investuar te restorant “Gzona” prej vitit 2019 shumat 21 411 euro dhe 4 666 110 lekë të reja për blerjen e pajisjeve dhe 34 783 euro si shpenzime qiraje.