Nga Anisa Bahiti
Zgjedhjet e Malit te Zi dhanë një mandat të qartë, shqiptarët janë vendimtarë për fatet e vendit. Nga njëra anë Millo Gjukanovici babai i shtetit të Malit të Zi, fitues historik i të gjitha zgjedhjeve si dhe i referendumit që i dha pavarësinë vendit. Në anën tjetër një koalicion opozitar pro-serb që ka koalicion me Kishën Serbe, e cila përballë levizjes së Gjukanovicit për pavarësimin e Kishës malazeze dhe marrjen e pronave të kishës serbe ka mobilizuar një koalicion opozitar si asnjehëre më parë.
Rezultati është praktikisht barazim, Gjukanovici akuzohet për korrupsion dhe keq-qeverisje kurse opozita ka marrë në krah një aleat shumë të fortë, Kishën ruse dhe serbe.
Në koalicionin proeuropian të Gjukanovicit janë 2 deputetët shqiptarë të dalë nga këto zgjedhje, janë deputetët boshnjakë por edhe ata të socialdemokratëve të partisë së Kryetarit të parlamentit.
Në anën e opozitës përtej partisë kryesore pro-serbe janë dhe disa ish-aleatë të Gjukanovicit, si dhe një koalicion proqytetar që drejtohet nga një shqiptar i ri me mbiemër të sllavizuar, por me retorikë dhe metodologji të re, i cili praktikisht ka fatet e qeverisjes së ardhshme në dorë.
Duket paradoksale por është e vërtetë thirrja e lidershipit politik nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia për të votuar partinë e Gjukanovicit për pak sa mund ta lërë në opozitë atë. Dy mandatet e shqiptarëve do të jenë vendimtare për fatet e Malit të Zi dhe ardhmërinë euro-atlantike të vendit fqinj.
Sikur edhe mandantin e dytë ta humbin shqiptarët dhe atë ta marrë lëvizja e Dritan Abazovicit, humbja do ishte e sigurtë për Millo Gjukanovicin dhe sikur të ishte bërë thirrje në unison të votonin vetëm për partitë shqiptare ndoshta edhe në një koalicion të vetëm tri deputetë do ishin të sigurtë dhe qeverisja gjithashtu. Tashmë rezultatet janë fakt dhe tre përfundime duhen nxjerrë nga këto zgjedhje;
E para, kërcënimi real për kthimin e Serbisë dhe të projektit pro-rus dhe antieuropian në Ballkan është gjithnjë prezent.
Së dyti, rreziku i asimilimit politik të faktorit shqiptar është gjithnjë i lartë ndaj Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet të bëjnë kujdes e të mos fusin hundët vetëm për interesa të ditës por të jenë largpamës ndaj interesit qytetar dhe kombëtar aty ku jetojnë.
E treta, dhe më e rëndësishmja është që të kuptohet që nuk qeveriset vetëm me demagogji por me rezultate konkrete, ndryshe rreziku i rikthimit në të shkuaren është gjithnjë prezent.