Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk ka qenë temë diskutimi gjatë takimit të deputetëve të pushtetit dhe opozitës me përfaqësuesit e Komisionit të Venedikut.
“Jo, ky ligj nuk është diskutuar”, deklaroi Filip Dimitrov nga Komisioni i Venedikut.
Në takimet e ndara të zhvilluara në Kuvend, pushteti dhe opozita kanë biseduar për dy ligje dhe atë për ligjin për këshillin gjyqësor por edhe për ligjin për gjykatat.
Përfaqësuesi i Komisionit të Venedikut, Filip Dimitrov tha se është i kënaqur nga takimet me deputetët e pushtetit dhe opozitës dhe për mirëkuptimin që kanë shprehur të dyja palët.
“Jemi të kënaqur me takimet me partitë në pushtet dhe partitë e opozitës. Ekziston mirëkuptim për nevojën për sjelljen e këtyre ligjeve dhe vlerësojmë se hapat të cilët janë bërë janë në drejtimin e duhur”, tha Dimitrov.
Ai sqaroi se përfaqësuesit e pushtetit dhe opozitës presin qëndrimet e Komisionit të Venedikut që dy ligjet në fjalë në të ardhmen të jenë më të dobishëm.
“Ka punë të cilat duhet të saktësohen, por me rëndësi është se edhe opozita edhe pushteti presin dhe dëshirojnë që Komisioni i Venedikut të deklarohet për kompleksitetin e punës që këto ligje të jenë efikase dhe të dobishme në të ardhmen”, deklaroi Dimitrov.
Përfaqësuesit e Komisionit të Venedikut dje u takuan edhe me ministen e Drejtësisë Renata Deskoska. Mefail Ismaili /SHENJA/