Ministri për punë të jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, nga Londra, në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, ka deklaruar se Maqedonia po kalon nëpër reforma jo të lehta, por se do të bëjë çmos që ato edhe të zbatohen, ndërkaq pritet nga Brukseli që ta njohë këtë kontribut. Dimitrov ka thënë se Maqedonia ka qeveri reformatore që ka për synim ta bëjë vendin europian, andaj edhe fuqishëm do t’i shpie proceset para e sidomos në vërejtjet që ka dhënë Unioni.
“Kemi një qeveri e cila është lindur në gjendje krize politike. Premtimet tona bazike që dolën nga kjo janë si ta bëjmë Maqedoninë europiane. Qëllimi ynë përfundimtar i eurointegrimit nuk është që t’i bashkëngjitemi Europës, por ta bëjmë vendin tonë evropian, që nënkupton kontrollin e pushtetit, media të lira, gjyqësor të pavarur, shoqëri civile aktive, politikanë të përgjegjshëm, një qeveri më transparente dhe më të hapur. Ky është premtimi ynë dhe jemi të fokusuar në këtë”,-tha ministri për punë të jashtme, Nikolla Dimitrov.
Pjesëmarrësit në Samit kanë theksuar se marrëveshja për emrin është veprim që dëshmon se rajoni ka fuqi të ballafaqohet me sfidat drejt Unionit. Është vlerësuar se në Ballkan është krijuar një Europë e vogël dhe se bashkëpunimi i ndërsjellë është i patjetërsueshëm për realizimin e synimit përfundimtar, anëtarësimin në BE. Eurokomisioneri, Johanes Han, u shpreh optimist për përparimet dhe eurointegrimin e Ballkanit Perëndimor.
“Ndonjëherë vullneti politik dhe gatishmëria janë kyçe, por tani kemi përparim. Në shkurt me presidentin Junker dhamë perspektivë europiane për rajonin me vërejtjet që vendet duhet të përmbushin e që është e patjetërsueshme që të bëhet dhe cilat aksione do të duhet të ndërmerren. Në muajt e fundit kishte përparim të madh dhe jam optimist për integrimin europian të rajonit”,- theksoi eurokomisioneri për zgjerim të BE-së, Johanes Han.
Gjithashtu u konstatua se Procesi i Berlinit ka qenë dhe mbetet mundësi e mirë për afrimin e qëndrimeve për çështjet e hapura midis fqinjëve. Si çështje urgjente u imponua edhe migrimi masiv i të rinjve.
Të rinjtë e sektorit civil u obliguan që të përgatisin strategji afatgjate se si ta mbajnë rininë në Ballkan, duke i kyçur në politikë dhe në proceset shoqërore.
MERAL ISMAILI