Bashkimi Europian synon të forcojë lidhjet ekonomike me Serbinë dhe vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, teksa secili prej tyre përparon në rrugën drejt anëtarësimit, tha javën e kaluar, Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.
Serbia, Bosnja, Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi janë të gjithë kandidatë për t’u bërë pjesë e BE-së, por kjo pjesë e rajonit vazhdon të jetë e dëmtuar nga luftërat etnike të viteve 1990 dhe po lufton për të hedhur pas krahëve një reputacion negativ mbi mungesën e shtetit ligjor dhe nivelit të lartë të korrupsionit.
Donald Tusk, i cili kryeson samitet e BE-së, tha se ofertat e tyre të anëtarësimit do të promovohen në një takim midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, më 17 maj në Sofje, kryeqytetin e Bullgarisë fqinjë, e cila u bashkua me BE-në në 2007 dhe mban aktualisht, Presidencën gjashtëmujore të bllokut.
“BE-ja është gati dhe dëshiron të mbetet partneri më i besueshëm i Serbisë dhe i të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, u tha gazetarëve z. Tusk. Në Sofje do të riafirmojmë gatishmërinë për të punuar në drejtim të integrimit të këtyre vendeve në BE, tha ai duke iu drejtuar të gjithë të pranishmëve në gjuhën serbe.
Këshilli Europian i drejtuar nga z. Tusk, mbledh së bashku qeveritë e 28 vendeve anëtare. Serbia dhe Mali i Zi janë vendet e para të Ballkanit Perëndimor që pritet të jenë pjesë e BE-së, dhe Komisioni Ekzekutiv i BE-së ka vendosur vitin 2025, si afatin përfundimtar të anëtarësimit të tyre. Të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor që kërkojnë anëtarësimin në BE, duhet të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, të rrisin dhe të përmirësojnë të drejtat e njeriut dhe lirinë e medias, si dhe të zgjidhin çdo mosmarrëveshje me fqinjët e tyre, përpara afrimit të kësaj date.
“Ka ende shumë punë përpara për t’u bërë edhe në drejtim të Serbisë”. Ne kemi filluar të punojmë për sundimin e shtetit ligjit dhe për bashkëpunimin me shoqatat e gazetarëve”, – tha z. Vuçiç. Anëtarët e BE-së, si Polonia, Italia dhe Austria duan që ky bashkim të zgjerohet dhe të ketë pjesë të tijën edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili kohët e fundit ka parë në rritje ndikimin rus dhe kinez. BE-ja mbetet investitori dhe partneri tregtar kryesor i rajonit, shkruan “monitor”.
Vuçiç tha se ai dhe Werner Hoyer, kreu i Bankës Europiane të Investimeve, kanë nënshkruar një marrëveshje kredie prej 45 milionë eurosh (54.82 milionë dollarësh amerikanë) për të përmirësuar kontrollin e përbashkët të trafikut ajror të Serbisë dhe Malit të Zi, në mënyrë që ai të operojë sipas rregullores së BE-së.
Që nga viti 2007, BEI dhe institucionet e tjera financiare të BE-së kanë investuar më shumë se 7 miliardë euro në këtë rajon. BEI planifikon të investojë edhe rreth 700 milionë euro (861.98 milionë dollarë) brenda vitit 2018, në infrastrukturën në Ballkanin Perëndimor.