Valentina Romei, Financial Times – Rajoni është shumë më i varfër se BE, por ka lidhje të forta me bllokun.
Zgjerimi i BE-së është çështje që ngjall debate. Dyshimet mbi këtë proces kanë ndikuar si në referendumin e Brexit, ashtu dhe në zgjedhjet në Francë, Austri e tjetërkund.
BE po shkon drejt njërit prej zgjerimeve më të diskutueshme deri më sot, teksa përcakton plane pranimi për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, një zonë e rrahur nga lufta në vitet 1990 dhe që vazhdon të ketë mosmarrëveshje territoresh, transmeton TCH.
Strategjia e BE-së, e publikuar në Shkurt, caktonte vitin 2025 si kufi për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi, dy vendet që kanë përparuar më shumë me procesin, si dhe për Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën.
Ky do të jetë zgjerimi më i madh i BE-së në numër shtetesh, që nga pranimi i madh i vitit 2004, kur u anëtarësuan 10 vende ish komuniste. Por ç’ndryshim do t’i sjellin këto vende BE-së? Çfarë përpjekjesh duhet të bëjnë vendet problematike të rajonit që të arrijnë standardet e pranimit në BE?
Nuk ka popullsi të madhe…
Popullsia e të gjashta vendeve të Ballkanit Perëndimor është 18 milionë në total. Pra, më pak se 20 milionë banorët e Rumanisë, të cilët iu bashkuan BE-së në vitin 2007, bashkë me Bullgarinë.
Luftërat dhe varfëria kanë shkaktuar valë të mëdha emigrimi në vitet 1990 dhe 2000. Sot, sipas shifrave të Bankës Botërore, një në katër banorë të Ballkanit Perëndimor jeton jashtë vendlindjes.
As ekonomitë e Ballkanit Perëndimor nuk janë të mëdha. Prodhimi vjetor është sa 1% e PBB së BE-së. Me nivelet e tanishme ekonomike, pesë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të renditeshin midis tetë ekonomive më të vogla të BE-së. Përjashtim bën vetëm Serbia, ekonomia më e madhe e rajonit, që ka PBB më të lartë se Kroacia dhe Lituania, të dyja anëtare të BE-së.
Ende shumë rrugë për të bërë…
Hendeku ekonomik midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së ka ngritur shumë shqetësime. Të ardhurat mesatare për frymë në rajon janë sa një e treta e mesatares së BE-së.
Por mbeten ende shtatë vite deri në datën e caktuar për anëtarësim, ndaj ka kohë për ta shkurtuar këtë hendek. Shtatë vite përpara se t’i bashkoheshin bllokut, të ardhurat mesatare për frymë në Bullgari dhe Rumani, në krahasim me BE-në, ishin më të ulëta se ç’i ka sot Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia.
Sipas një postimi të shkruar nga Marek Dabrowski dhe Yana Myachenk, nga grupi i ekspertëve ekonomikë të Bruegel-it, vendet e Ballkanit Perëndimor po përparonin shumë me përafrimin e tyre me vendet e BE-së përpara se të ndodhte kriza e viteve 2007-2008.
Ky përmirësim solli ndryshime për disa nga popujt më të varfër të zonës. Në fillim të viteve 2000, një në tre banorë të Ballkanit Perëndimor jetonin me më pak se 5 dollarë në ditë, por kjo ndryshoi në 1 në 5 banorë në vitin 2008, po sipas Bankës Botërore.
Ky përparim e humbi vrullin me krizën financiare dhe ka vazhduar me ritëm të ulët gjatë gjithë dhjetëvjeçarit të fundit.
Lidhje të forta me BE
Mesatarisht, 70% e gjithë eksporteve të mallrave të Ballkanit Perëndimor shkojnë në BE, një shifër që është rritur në dhjetëvjeçarin e fundit. Përfaqësuesja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ka thënë kohët e fundit se lidhjet ekonomike janë të forta si gjithnjë.
Investimet nga kompanitë e BE-së kanë krijuar rreth 240,000 vende pune në Ballkanin Perëndimor që nga viti 2003. Kjo përbën rreth 60% të gjithë vendeve të punës së krijuara nga investimet e huaja në rajon.
Rajoni merr fonde nga BE që tani. Për këtë vit janë caktuar rreth 1.07 miliardë euro që do të jepen nëpërmjet “fondeve të para-anëtarësimit”, të cilat u shtohen 9 miliardë eurove të dhëna në 10 vitet e fundit.
Sa të rrepta janë kushtet e pranimit?
Mogherini thekson se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është larg të qenit punë e mbaruar, dhe se procesi bazohet në merita, krejtësisht i varur nga ritmi i reformave dhe suksesi i negociatave për çdo vend. Deri tani, asnjë nga vendet nuk i ka plotësuar kriteret e pranimit.
Përparësia e madhe, sipas Komisionit Europian, është forcimi i rendit ligjor. Raporti i Shkurtit thoshte se të gjashta vendet shfaqin elemente të qarta të kapjes së shtetit, të lidhjeve me krimin e organizuar dhe korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administratës. Për sa i përket perceptimit të korrupsionit, të gjitha vendet renditen të fundit në Europë.
Raporti i BE-së shton se asnjë nga vendet nuk mund të quhet se ka një ekonomi tregu funksionale, por perspektiva e anëtarësimit ka ndihmuar të përparojnë. Banka Botërore arrin në përfundimin se mundësitë për të bërë biznes janë lehtësuar në të gjashta vendet në këtë dhjetëvjeçar të fundit, me Maqedoninë që ka shënuar rezultate më të larta në këtë drejtim.
Mosmarrëveshjet gjeografike mbeten çështje të pazgjidhura, një trashëgimi nga luftërat e të shkuarës. “Ballkani ka shumë mosmarrëveshje territoriale, dhe ato duhen zgjidhur para se të ndërmerret ndonjë hap konkret”, tha Jean-Claude Juncker, Presidenti i Komisionit Europian, gjatë takimit të përvitshëm në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Si përfundim, këto vende duhet të kenë dëshirë të bashkohen me BE-në. Siç vëren komisioni, anëtarësimi kërkon “mirëkuptim politik e shoqëror, si dhe mbështetje në zemrat dhe mendjet e popullit”, diçka që nuk ka ndodhur gjithnjë në të shkuarën.