Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska qëndron për vizitë zyrtare në Turqi, me ftesë nga Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Nuretin Xhanikli.
Në kuadër të vizitës, Shekerinska, përveç takimit me homologun e saj, do të realizojë takime dhe me kryeministrin Binali Jildirim dhe me ministrin e Punëve të Jashtme Mevlut Çavushoglu, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Në takim do të shkëmbehen mendime për situatën aktuale në Maqedoni dhe në rajon, si dhe më gjerë, ndërsa do të shqyrtohet dhe bashkëpunimi i deritanishëm dhe i ardhshëm midis dy vendeve.
Do të bëhet fjalë edhe për operacionet e përbashkëta paqësore, si dhe për pritshmëritë nga samiti i ardhshëm i NATO-s në Bruksel dhe për mbështetjen të cilën ja jep Turqia Maqedonisë në rrugën drejt anëtarësimit në Aleancë dhe plotësimin e standardeve të NATO-s.
Shekerinska do të ketë takime dhe në Nënsekretariatin e Turqisë të Industrisë së Mbrojtjes, gjithashtu do të vizitojë dhe disa objekte ushtarake.
Vizita zyrtare e Shekerinskës në Turqi, theksojnë nga Ministria e Mbrojtjes, është konfirmim i miqësisë tradicionale dhe bashkëpunim midis dy vendeve.