Republika e Çekisë ka dhuruar dyzet e pesë automjete “Shkoda Oktavia” për Republikën e Maqedonisë, me qëllim të përforcojnë policinë kufitare maqedonase, në mënyrë që të përballët më mirë me kontrollin e kufijve të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ambasadori i Çekisë në Shkup, Miroslav Toman, gjatë dorëzim-pranimit të automjeteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tha se përmes këtij donacioni, Republika e Çekisë dëshmon se krizën me migrantët që përfshiu Evropën në vitin 2015, nuk e trajton vetëm brenda kufijve të saj, por ndihmon edhe shtetet tjera si shenjë e vullnetit për përballje të përbashkët.
“Republika e Çekisë nuk ndihmon vetëm financiarisht, meqë në kufirin jugor tashmë ndodhet kontingjenti i 14-të i policëve, që flet se mbi 550 policë tanë kanë ndihmuar që kufiri me Greqinë të jetë më i sigurt në përballjen me krizën me migrantët”, tha Toman, sipas të cilit, bashkëpunimi mes dy policive është i shkëlqyeshëm.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, nga ana e tij vlerësoi lart partneritetin mes dy shteteve, në veçanti kontributin çek gjatë krizës me migrantët, duke forcuar kapacitetet e policisë së Maqedonisë, për të shtuar se tashmë ndihma financiare e këtij vendi për Maqedoninë ka tejkaluar shifrat prej dy milionë euro.
“Kemi marrë automjete të mira, të fuqishme, të cilat do ti shërbejnë policisë kufitare por edhe stacioneve policore në zonat kufitare me qëllim që të rrisim efikasitetin e punës, njëherësh edhe sigurinë e qytetarëve. Kjo flet se Maqedonia dhe Çekia kujdesen edhe për kufijtë e Evropës, meqë Maqedonia është porta për hyrje në vendet e BE-së”, tha Spasovski.
Donacioni nga Çekia prej 45 automjeteve është në vlerë prej një milion euro./Tetova1