Fabrika për ferrolegura “Jugohrom” në Jegunoc, e cila u mbyll për shkak të mos-ndërtimit të stacionit filtrues, sipas paralajmërimeve, sërish do të fillojë të punojë në mars ose prill të vitit të ardhshëm. Për këtë qëllim, nesër në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë pritet të nënshkruhet marrëveshje me pronarin dhe me sindikatën e fabrikës. Këtë e paralajmëroi kryeministri dhe lider i LSDM-së Zoran Zaev më 5 tetor në tubim në Tetovë, duke theksuar se “Jugohrom”-i sërish do të punojë me kapacitet të plotë dhe sipas standardeve ekologjike.
Më 2 nëntor të vitit 2016, “Jugohrom”-i tërësisht e ndërpreu procesin prodhues dhe rreth 800 persona mbetën pa punë. Udhëheqësia e kombinatit vendosi që ta zbatojë vendimin e fabrikës për shkak të mosrespektimit të afatit përfundimtar për ndërtim të stacionit filtrues i cili skadoi më 30 tetor të vitit 2016. Disa herë pastaj të punësuarit në “Jugohrom” protestuan duke kërkuar zgjidhje të problemit të tyre.