Para dhe gjatë zgjedhjeve të fundit, në dhjetor të vitit të kaluar, ishte pikërisht kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili kundërshtonte me të madhe Zoran Zaevin dhe partisë që ai drejton. Ahmeti shkoi deri në atë shkallë sa që thoshte se Zaev ëndërronte votat e shqiptarëve, atëherë sipas Ahmetit ëndrra e Zaevit ishte e pa realizueshme. Por, ashtu siç ka kaluar koha kanë ndryshuar edhe qëndrimet e liderit të BDI-së. Pikërisht është ai që sot po kërkon vota për LSDM-në dhe kandidatët e saj. Sipas njohësve ky koalicion është koalicion i dëshpërimit dhe nuk pi ujin më, për qytetarët, shkruan Almakos.
Sipas gazetarit, Arben Zeqiri, LSDM dëshmoi se dëshiron partner të dëgjueshëm, të cilin mund ta shantazhojë dhe kontrollojë.
“Koalicioni me BDI-në, në zgjedhjet lokale i ka dëshpëruar shqiptarët, të cilet në zgjedhjet parlamentare votuan LSDM-në, kundër rregjimit VMRO – BDI. Mirëpo, LSDM, dëshmoi se nuk ka koezistencë dhe sinqeritet në luftën kundër rregjimit dhe në masë të madhe do t’i iritojë shqiptarët”, deklaroi Zeqiri, për Almakos.
Ai shton se nëse aktori politik Hashim Thaçi nuk mundi ti urdhërojë shqiptarët vitin e kaluar, Zoran Zaevi aq më pak do të mundet.
Profesoresha Gjyla Çeliku thotë se kush e njeh mendimin dhe veprimin politik, e di fare mirë se në politikë nuk ka etikë, por interesa, që ndërlidhen edhe me forcimin, por edhe mbijetesën e një subjekti të caktuar politik.
“Kush lexuar kujtimet e Vinston Çerçillit, përshembull., e di se ai ka ndërruar shtatë parti politike dhe sot llogaritet si njëri ndër politikanët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe askush nuk e gjykon për këtë fakt, siç ndodh rasti në rrethanat tona”, thotë Çeliku, për Almakos.
“Koalicionimi i BDI-së me LSDM-në, duke pasur parasysh rolin e këtyre dy partive gjatë krizës politike 3 vjeçare, e cila rezultoi me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të UE-së dhe SHBA-ve, të cilat për momentin janë të fokusuara në stabilitetin politik të Maqedonisë dhe mbarë rajonit. Megjithatë, është një e vërtetë e pakontestueshme se, në këto ndërthurje, shqiptarëve në Maqedoni u garantohet statusi i komunitetit, i modeluar me Marrëveshjen e Ohrit dhe, me pa të drejtë, anashkalohet e drejta jonë për të qenë të barabartë dhe element shtetformues në vendin tone”, shtoi Çeliku.
Çeliku është shumë e vendosur dhe thotë se BDI-ja ka qenë faktori kyç politik i shqiptarëve të Maqedonisë që nga viti 2002, por edhe më parë, duke pasur parasysh situatën e parakonfliktit të vitit 2001.
“Sado që tronditja të vazhdojë, kjo simbiozë tashmë ka filluar ngjizjen e saj dhe rezultatet do të varen kryesisht nga kursi i zhvillimit të politikave ndërkombëtare. Personalisht ndiej keqardhje, që shqiptarët historikisht kanë qenë të detyruar, të bëjnë kompromise politike, që u ka kushtuar me shumë rrugëtime të vështira shoqërore dhe jo rastësisht sot jemi populli më i shkapërderdhur në botë”, përfundoi Çeliku.
Mevludin Imeri
Almakos.com