Qeveria e re zotohet për zgjidhjen e problemit me ndotjen e ajrit përmes një strategjie e cila përfshinë menaxhimin me deponitë, që po shkaktojnë ndotje të madhe të ajrit. Zv/kryeministri për çështje ekonomike Koco Angjushev thotë se deri më tani Maqedonia asnjëherë nuk ka parë rezultate nga projektet e ndryshme ekologjike të cilat janë zbatuar.
Si Qeveri kemi programin për çështjet ekologjike përmes së cilës do të zhvillohen të gjitha projektet ekologjike në vend. Do të punohet në burimet e ripërtërishme të energjisë. E dimë që kemi probleme serioze në rajonin Strugës, Tetovës, Drislla. Ne duhet të bëjmë projekte të cila do jenë të vet-qëndrueshme pa harxhuar shteti nga buxheti, në mënyrë që ajo të kthehen në biznes –deklaroi Koco Angjushev, zv kryeministër për çështje ekonomike.
Pjesëmarrëse në një diskutim mbi çështjen e ndotjes, ambasadorja gjermane në vend Kristina Althauzer, duke iu referuar disa projekteve ekologjike që kjo ambasadë ka realizuar, deklaroi se autoritetet e Maqedonisë duhet ta mendojnë se si ta zgjidhin problemin me ndotjen, dhe jo të presin që ajo të zgjidhet nga faktorët e jashtëm.
Ky është një projekt i mirë, por kjo është një pikë në Oqean në raport me atë se çfarë duhet të bëhet në Maqedoni. Kemi qeveri të re e cila pjesë të reformave në programin e saj ka edhe ndryshimet klimaterike, dhe duhet që në të ardhmen të shihen hapat konkret në këtë segment –tha Kristinë Althauzer, Ambasadore e Gjermanisë në Shkup.
Viteve të fundit Maqedonia përballet me ndotje enorme të ajrit. Gjatë dimrit organizatat civile dhe qytetarë të shumtë kanë dalë shpesh në protesta për të kërkuar zgjidhjen ë këtij problemi, por i vetmi hap që u bë nga ministria e Ambientit ishte mbyllja e kombinatit të Jugohromit, njërit nga ndotësit më të mëdhenj në rajonin e Tetovës.
Vjollca Aliti