Partitë maqedonase janë mësuar që të bisedojnë me partitë shqiptare për poste ministrore, e nuk janë mësuar që të bisedojnë për partneritet të plotë. Nuk janë të gatshëm që të bisedojnë për një Qeveri ku shqiptarët nuk do të jenë shërbëtorë, por të jenë vërtetë partnerë. Kështu tha kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami në emisionin ARENA, duke shtuar se kërkesat e BESËS ishin parime mbi të cilat do të duhej të zhvillojë punën Qeveria.
“Parimet e marrëveshjes të cilën ia ofruam LSDM-së, nuk vlenin vetëm për Lëvizjen BESA, por vlejnë edhe për partitë tjera pjesëmarrëse në një koalicion të mundshëm. Ne do të kishim dashur që një marrëveshje e tillë edhe pa Lëvizjen BESA ta kishin bërë partitë tjera”, theksoi Kasami, duke shtuar se është për keqardhje që akoma nuk ka një deklarim të qartë mes partnerëve të ardhshëm të koalicionit nëse ka një marrëveshje për bashkëqeverisje. /SHENJA/