07 May
Kriza politike e përkeqëson situatën në shëndetin publik. Drejtori i Spitalit të Qytetit në Shkup, Sasho Stojçev tha se për shkak të krizës ende nuk ka zgjidhje për mungesën e infermierëve, kështu që janë të detyruar tani të punojnë vetëm me 3 salla operacioni nga gjithsej 7. Atje trajtohen pacientët me raste urgjente, ndërsa lista e pritjes së atyre me termin të caktuar rritet.
Kjo krizë politike zgjat një kohë të gjatë, duhet të gjendet një zgjidhje, sepse ne e ndjejmë atë, punonjësit, dhe përmes neve edhe pacientit. Problemi kronik që e kemi me mungesën e infermiereve vazhdon, nuk ka qeveri, nuk ka kush të na japë pëlqimin financiar, pa të paktën 100 infermiere, ne nuk mund të vazhdojmë dhe tu përgjigjemi nevojave të cilat janë gjithnjë e më të mëdha – deklaroi Sasho Stojçev, drejtor i spitalit të qytetit “8 shtatori”.
Kriza politike përveç që ndikon drejtpërdrejt në dhënien e shërbimeve në shëndetin publik, ajo reflektohet edhe në shëndetin mendor të qytetarëve. Disa qytetarë të cilët i anketoi Alsat M, thonë se te ata në këtë periudhë ekziston një shqetësim i madh.
“Unë mendoj se kjo ndikon, krijon pasiguri, frikë, një ankth të vazhdueshëm”, u shpreh një qytetare.
Stafi shëndetësor dhe qytetarët shpresojnë në një zgjidhje të shpejtë të krizës politike e cila ndikon seriozisht në jetën e përditshme në Maqedoni.
Bojana Simonoviq