Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, bashkë me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të partisë së tij, ka zhvilluar takim me drejtoren politike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Karen Pirs.
VMRO-DPMNE në takim me zyrtaren britanike e ka dënuar dhunën fizike në Kuvend, por edhe dhunën politike që, sipas tyre, po e promovon LSDM-ja me zgjedhjen joligjore të Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit, duke i shkelur ligjet dhe Kushtetutën.
“Akti i tillë, ku pa procesverbal, pa numërim, pa paraqitje zyrtare dhe jashtë orarit të caktuar të institucionit, me forcë po tentohet të zgjidhet kryetari, paraqet rrënim të sistemit ligjor të sistemit të drejtësisë në shtet. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën, ligjet dhe Rregulloren”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.