Ali Ahmeti, Musa Xhaferri, Artan Grubi, Ejup Alimi, Sadulla Duraku janë funksionarët e BDI-së të cilët zyrtarisht u propozuan nga pala mbrojtëse që të dëshmojnë në gjykatë për rastin e Kumanovës. Ndërsa dëshmitar tjetër shqiptar u propozua edhe Shenasi Memedi, i punësuar në drejtorinë për siguri dhe kundërzbulim. Avokatët mbrojtës po ashtu i propozuan trupit gjykues që ta ftojnë edhe ish-deputetin Isni Shaqirin. Ndërsa nga funksionarët VMRO-DPMNE-së, pala mbrojtëse propozoi ish-shefine DSK-së Sasho Mijallkovin, ish-ministren e brendshme Gordana Jankullovska dhe drejtorin aktual të byrosë për siguri publike në MPB Mitko Çavkov, të gjithë këto për të dëshmuar nëse kanë qënë në dijeni që dikush ka përgatitur skenar për hyrje në Maqedoni, pse nuk kanë marrë masa paraprake për parandalim dhe pse nuk kanë zbatuar detyrën zyrtare. Po ashtu avokatët propozuan që në dëshmi të ftohet edhe Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, pasi ka deklaruar se rasti i Kumanovës është skenar dhe ka përgjime të kërij rasti duke u zotuar se do ti publikojë, Stojanço Angellov i partisë “Dinjiteti” i cili një muaj para se të ndodhë rasti i Kumanovës dha deklaratë për media se diçka po përgatitet që të ndodhë në vendin tonë, por edhe përkthyesi i OSBE-së, Behar Grazhdani.
Avokatët e palës mbrojtëse i propozuan të gjitha këto emra pasi sot përfunduan dëgjimet e të akuzuarve nga trupi gjykues. Por pas përfundimit të dëshmive të të akuzuarve, prokurori publik Naum Panovski, dorëzoi edhe dy dëshmi të tjera. E para ishte raporti i lëndimeve pas rastit, kur kryerësit e ekspertizës i kanë përkthyer lëndimet nga latinishtja në gjuhën Maqedonase. Për këtë dëshmi, avokatët mbrojtës thanë se është e panevojshme ky raport të dorëzohet i përkthyer, ku propozuan që kryerësit e ekspertizave të lëndimeve të vijnë dhe të dëshmojnë para trupit gjykues.
Dhe në dëshminë e dytë, prokurori Panovski dorëzoi një CD, në të cilën, siç thotë prokurori, është xhirim i njësitit special të policisë, në momentin kur ka filluar aksioni policor në mëngjes, në të cilin, prokurori pohon se vërehet që policia i ka paralajmëruar të akuzuarit se janë duke u futur në lagje, gjë e cila dëshmon të kundërtën e asaj që kanë folur të akuzuarit.
Për këtë avokatët e palës mbrojtëse thanë se tashmë ka përfunduar faza e grumbullimit të dëshmive nga ana e Prokurorisë publike dhe është e papranueshme të dorëzohen dëshmi të tjera pas dy viteve, e sidomos video materiale të cilat duhet se lehtë mund të montohen edhe vetë. Avokati Lupço Veselinovski, tha se do ta kërkojnë CD-në që ta shikojnë dhe më pas do të japin qëndrimin e tyre rreth saj.
“CD që sipas prokurorit publik pasqyron tërë rasit, si ka hyr policia në lagjen e trimave, si është zhvilluar aksioni I policis dhe si janë dorzuar. Ne do të propozojm qe kjo CD të na dorzohet edhe neve si palë mbrojëtse dhe pas shqyrtymit do sjellim vendim a do ta pranojm apo refuzojm si dëshmi në procedur. Edhe pse fjalën e fundit do e kete gjykata”, tha avokati mbrojtës, Lupço Veselinovski.
Avokatët mbrojtës po ashtu i propozuan trupit gjykues që për dëshmi të ftohen edhe ekspert balistik dhe mjek të mjekësisë ligjore për të folur për plagët dhe lëndimet e të akuzuarve dhe të vrarëve gjat konfliktit. Pala mbrojtëse po ashtu propozoi që të akuzuarve tu bëhet edhe ekspertizë psikike për gjendjen e tyre para ngjarjeve, gjatë ngjarjeve dhe pas tyre. Këtë kërkesë e bazuan në ligjet humane të cilat fuksionojnë në të gjitha shtetet.
Mefail Ismaili /SHENJA/
Avokatët nga rasti i “Kumanovës”: Ahmeti… by tvshenjaofficial