05 May
Profesori Jeton Shasivari vlerëson se Presidenti Ivanov është i obliguar të japë mandatin për formimin e Qeverisë dhe nuk ka hapësirë për manovra të reja politike. Sipas Shasivarit, nëse presidenti nuk pajtohet me ligjet e shumicës së re parlamentare, mund të shfrytëzojë të drejtën e vetos gjatë miratimit të këtyre ligjeve në Kuvend.
Sa i takon çështjes së dhënies së mandatit nga ana e kryetarit të Republikës, ai ka obligim Kushtetues që mandatin të ja besojë kandidatit që tashmë ka siguruar shumicën parlamentare dhe në këtë rast ai nuk ka hapësirë për çfarëdo manovrash politike në të ardhmen përshkak se sipas kushtetutës, kryetari i vendit nuk ka kompetencë që të emërojë kryetarin e Qeverisë as nuk ka kompetencë që të emërojë ministrat. Ai ka disa të drejta të tjera sa i takon Kushtetutës. Në qoftë se ai vlerëson se në të ardhmen, ligjet e kësaj shumice parlamentare do të jenë në kundërshtim me karakterin unitar të shtetit ose me sistemin e sigurisë së shtetit ose me politikën e jashtme të shtetit, ai ka të drejtë që t’i shprehë qëndrimet e veta përmes të drejtës së vetos që e ka ndaj ligjeve. Dhënia e mandatit është një çështje teknike, nuk është akt juridik por është veprim material I kryetarit të Republikës mirëpo ai në këtë situatë shfrytëzon një zbrazëtirë kushtetuese që ka të bëjë me atë se aktet e tija, e lëre më veprimet, nuk i nënshtrohen kontrollit gjyqësor të Kushtetutshmërisë nga ana e gjykatës Kushtetuese – deklaroi eksperti juridik Jeton Shasivari.