Nevojitet pjekuri nga të gjitha subjektet politike, institucionet, të punësuarit dhe individët, sipas obligimeve ligjore, përgjegjësisë personale dhe në pajtim me interesat shtetërore, të mundësohet formimi i qeverisë së re, kështu thanë sot nga LSDM-ja përmes një njoftimi me shkrim
“Qeveria e re, njëjtë si edhe kryetari i ri i Kuvendit, do të zgjidhet në pajtim me Kushtetutën, Rregulloren dhe ligjet e Maqedonisë. Letra e kryetarit të ri të Kuvendit, Talat Xhaferi drejtuar Gjorge Ivanovit është obligim që Ivanov t’i lërë anash interesat personale për ikje nga drejtësia të Nikolla Gruevskit dhe të veprojë sipas obligimit kushtetues ndaj qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, kumtoi LSDM.
Porositë nga Brukseli, thekson LSDM, pas vizitës së Xhaferit janë të qarta, është zgjedhur në mënyrë legjitime dhe është njohur kryetari i Kuvendit, pritet në kohë të shpejtëp zgjedhja e Qeverisë së re reformuese. Pason riafirmimi i programit qeveritar që e mbron unitaritetin e shtetit dhe siguron drejtësi dhe jetë për të gjithë qytetarët, paralajmëron LSDM.
“Çdo pengim i transferit të pushtetit dhe çdo veprim joligjor është ndëshkues sipas ligjeve ekzistuese”, qëndron në kumtesën e LSDM-së.
Nga ana tjetër VMRO-DPMNE kërkon përgjegjësi nga lideri i LSDM-së dhe nga LSDM-ja sepse, sipas tyre, ata veprojnë në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore dhe për këtë përgjegjësi duhet të ketë.
“Krimineli Zoran Zaev është nxitës dhe mbështetës i intonimit të himnit shqiptar në Kuvend, me shkelje të Kushtetutës, ligjit dhe Rregullores për punë të Kuvendit, u përpoq të zgjedhë kryetar të Tiranës të Kuvendit, Zaevi dhe LSDM-ja veprojnë në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore dhe për këtë përgjegjësi duhet të ketë”, thuhet në kumtesën e VMRO-së.
VMRO akuzon Zaevin se ka bërë precedent juridik dhe politik me çka hapi mundësi që në të ardhmen, në mënyrë ilegale të votohet dygjuhësia, bankënotat shqiptare, uniformat dygjuhësore, gjenocidi dhe të gjitha elementet nga platforma e Tiranës, pa u respektuar vullneti i popullit.
“Zaevi është shndërruar në mashë të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit dhe bëhet kërcënim për sigurinë në gjithë rajonin. Krimineli Zoran Zaev me papërgjegjësinë e tij shkaktoi skandal ndërkombëtar dhe i ka përkeqësuar marrëdhëniet dypalëshe të Republikës së Maqedonisë me Republikën e Serbisë, për çka pasuan një sërë reagimesh të përfaqësuesve më të lartë shtetëror të këtij vendi. Me papërgjegjësinë e tij e sjell në rrezik Republikën e Maqedonisë, reputacionin e saj ndërkombëtar dhe marrëdhëniet me shtetet tjera”, qëndron në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.