Ndërmarrja aksionare “Skopski Pazar” është përgjigjur në lidhje me paqartësitë që dje u shfaqën tek një pjesë e shitësve, duke thënë se atë pjesë të Bit Pazarit e ka shitur që nga muaji korrik i vitit 2015. Nga ana tjetër, tregtarët për këtë shitje kanë kuptuar disa ditë më parë, kur edhe kanë filluar aktivitetet ndërtimore tek tezgat e tyre.
“Në interes të informimit të saktë të opinionit, theksojmë se në vitin 2015, me vendim të Këshillit Drejtues të Shoqatës Aksionare numër 02-304/71 të datës 02.07.2015, është realizuar shitja e një prone me sipërfaqe të përgjithshme prej 501 M2, për shkak se e njëjta nuk është me rëndësi strategjike për zhvillimin e ardhshëm të shoqërisë aksionare”, kanë thënë nga Shoqata aksionare “Skopski Pazar”
Në bazë të këtij prononcimi të shoqatës aksionare “Skopski Pazar”, bëhet e qartë se kjo shoqatë nuk ka në pronë këtë pjesë të Bit Pazarit për 21 muaj. E gjatë gjithë kësaj kohe, tregtarët thonë se kanë vazhduar të paguajnë qira në konto të ndërmarrjes “Skopski Pazar”, duke e ditur atë si pronar. Ata shprehen të hutuar dhe pyesin se ku kanë shkuar paratë e tyre gjatë kësaj kohe.
“Ne kemi paguar çdoherë rregullisht, dokumentin e fundit e patë edhe vet se e kam paguar para 3-4 ditëve. 2016-tën e kemi paguar, 2017-tën e kemi paguar, 2015-tën e kemi paguar, krejt janë dokumentet këtu. Ne nuk kemi dijeni për asgjë, vetëm kur kemi dëgjuar se Skopski Pazari ka 3 vjet që është shitur. Kujt ia kemi dhënë këto para ne? Faktikisht na paska bë neve korrupsion Skopski Pazari. Na i paska vjedhur paratë. Në fund e shet pa dijeninë tonë, s’po na e shet neve që ia kemi dhënë paratë. Neve dikush na i paska marrë paratë, tash a Skopski Pazari, apo tjetër kush që e ka ble i paska vjedhur paratë qe 3 vjet, s’dimë ne asgjë”, thotë njëri nga shitësit.
“Pagesën jemi duke e bërë qe 19 vjet rregullisht. Tregtarët nuk janë të pajtimit që t’i shesin, duan ti blenë vet tezgat e tyre”, thotë një shitës tjetër.
Tregtarët thonë se në këtë sipërfaqe ka gjithsej 240 tezga, ndërsa secila prej tyre paguan nga 3760 denarë në muaj. Pra, për një muaj nga këto tezga inkasohen 902.400 denarë, ndërsa për periudhën 21-muajsh prej kur është nënshkruar kontrata e shitblerjes, duhej të ishin të inkasuar 18.950.400 denarë, apo mbi 300 mijë euro.
Për të sqaruar gjithçka, Televizioni SHENJA kërkoi nga ndërmarrja “Skopski Pazar” që të sigurojë dokumentin e shitblerjes, dhe të prononcohet nëse ka vazhduar të inkasojë para nga qiraja edhe pas shitjes së pronës. Deri në këtë çast, nuk kemi marrë ndonjë përgjigje.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Tregtarët: Kujt ia paguam 300 mijë euro deri… by tvshenjaofficial