Data 12 prill tashmë 5 vite është sinonim i tragjedisë në Liqenin e Smillkovës, ku pesë shkupjanë, në festën fetare ortodokse “E enjtja e madhe”, u vranë derisa peshkonin në liqen. Kjo vrasje u shndërrua në krimin më të përfolur në vend gjatë gjithë kësaj kohe.
Vrasja pasoi me një aksion të ashpër policor, i cili u zhvillua më 1 maj të vitit 2012 me emrin e koduar “Monstra”. 800 forca speciale të policisë bastisën dhjetëra shtëpi shqiptarësh dhe arrestuan 20 shqiptarë, mes të cilëve edhe një grua të moshës 65 vjeçare, si dhe shumë gra shqiptare. E për këtë flasin më mirë pamjet e këtij aksioni që u shfaqën nëpër media, duke tronditur opinionin. Menjëherë pas aksionit, ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska doli në media dhe tha se kanë arrestuar një grup terroristësh islamik që ka kryer vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë.
Si të akuzuar për vrasjen e pesëfishtë mbetën vetëm Fejzi Aziri, Agim Ismailoviq dhe Rami Sejdiu. Ndërkaq, për Alil Demirin dhe Afrim Ismailloviqin u shpall flet arrest ndërkombëtarë dhe ata u arrestuan më vonë në Prishtinë, ku dhe vuajtën dënimin për një vepër tjetër që nuk ka lidhje me këtë rast. Ekstradimi i tyre akoma nuk ka ndodhur. Mes personave që u arrestua më 1 maj ishte edhe Haki Aziri, mirëpo emri i tij nuk u përmend askund. Ai ishte marrë si dëshmitar i mbrojtur, por më vonë ai nuk pranoi që ta bënte një punë të tillë, dhe, edhe ai u akuzua për të njëjtën vepër.
Më 2 dhjetor të vitit 2012, në Gjykatën Themelorë Shkup 1 nisi procesi gjyqësor kundër të akuzuarve. Numrit të të akuzuarve iu shtua edhe një person tjetër, Sami Luta, i cili u arrestua më 28 gusht të vitit 2013. Që të gjithë u akuzuan për veprën terrorizëm, ndërsa lëndën e udhëhoqi gjykatësi Ivica Stefanovski, shkruan SHENJA.
E vetmja provë në bazë të së cilës janë akuzuar ata ka qenë dëshmia e dëshmitarit të koduar E1. Si prova materiale janë marrë bisedat telefonike mes të akuzuarve, si dhe materialet e gjetura në shtëpitë e tyre. Si provë e prokurorisë është Kurani dhe librat e tjerë fetarë, si dhe kënga “Për ty Gostivar” e kënduar nga Gold AG, që është gjetur në kompjuterin e njërit prej të akuzuarve.
Më 30 qershor të vitit 2014, Gjykata themelore Shkup 1 nën akuzën terrorizëm dënoi me burg të përjetshëm gjashtë prej të akuzuarve, ndërsa njëri, Sejdi Rami u shpall i pafajshëm.
Vendimi u shoqërua me një sërë protestash të dhunshme, në të cilat policia përdori topa uji dhe bomba me gaz lotsjellës. Policia arrestoi disa protesues të cilët u dënuan me burg nën akuzën se kanë prishur rendin publik.
Avokatët dhe familjarët e të akuzuarve rastin e quajtën të montuar politikisht. Ndërsa sipas tyre asnjë nga provat materiale të prezantuara nga prokuroria nuk i lidh të akuzuarit me veprën penale.
Deklarata e familjarëve edhe sot është shumë kategorike: “rast i montuar politik”.
“Në mënyrë abstrakte sot po bahen 5 vjet. Por, në mënyrë konkrete për familjet tona janë 33 vjet që po i vuajnë familjarët e tona, bashkë me ato familjet që janë të akuzuar në këtë rast. Po të kishte vepruar politika drejt, se ky rast është politike, sot familjarët e tanë nuk do t’i kishin këto brenga por, dikush për përfitimi materiale, për përfitimi familjare, na la neve që të apelojmë të ankohemi”, ka deklaruar për TV SHENJA, Bedri Ajdari, familjar i tre prej të akuzuarve
Familjari i tre prej të akuzuarve thotë se ka argumente të qarta që të akuzuarit për këtë rast janë të pafajshëm.
“Koha po i zbulon dëshmitë e reja, çdo ditë e më tepër po dalin. E kemi liderin e opozitës maqedone i cili thotë këto njerëz janë të pafajshëm. E kemi deputetin e opozitës maqedone i cili në Kuvend u thotë maqedonasëve se ju keni vrarë njerëz dhe keni vrarë fëmijë për të qëndruar në pushtet. E kemi avokatin mbrojtës të familjarëve të cilët i kanë fëmijët e tyre të masakruar në këtë rast, i cili thotë se kryeparlamentari duhet të largohet me kokë ulur, duke e ditur se ka përgjim i cili del duke thënë bashkë 6 funksionar të tjerë që thotë fshihni gjurmët, menjanoni argumentet“, tha më tej Ajdari.
Ajdari thotë se edhe pse sistemi gjyqësor është i politizuar, familjarët akoma kanë shpresa për zbardhjen e të vërtetës së këtij rasti. Ai thotë se kanë besim në çdo organ që është i pavarur dhe i paanshëm, ndërsa alternativë tani për tani mbetet vetëm Prokuroria Speciale Publike.
Ndërkohë, më shumë se një vjet Gjykata Supreme nuk cakton seancë publike për rastin Monstra. Pala mbrojtëse ka dorëzuar ankimimet më 4 janar të vitit 2016, por akoma nuk është caktuar seancë.
Vrasja makabre e 12 prillit edhe pas 5 viteve nuk ka akoma epilog definitiv dhe vazhdon të mbetet një mister shumë i madh.
Teuti Bui /SHENJA/
Pesë vjet mister, ‘Monstra’ pret drejtësi! by tvshenjaofficial