Qeveria ka marrë vendim që të krijohet një grup pune i cili do të shqyrtojë opsionet ligjore të cilat do të bëjnë të mundur që të vazhdohen kompetencat e komunave dhe këshilltarëve komunal. Ligjërisht kompetencat e tyre përfundojnë më 14 maj si pasojë e mos shpalljes së zgjedhjeve lokale në kohë. Në këtë grup pune marrin pjesë ministria e pushtetit lokal, ajo e Drejtësisë, dhe përfaqësues të BNJVL-së. Aktualisht palët nuk bënë të ditur se cilat janë opsionet që shqyrtojnë por deklaruan se zgjidhja do të prezantohet brenda një afati të shkurtër kohor.
Në bazë të konkluzionit që dje u morr nga ana e Qeverisë u vendos që të krijohet një grup pune i cili do jetë i përbërë nga ministria e pushtetit vendor, nga ministria e Drejtësisë, nga kryetari I BNJVL , nënkryetari I BNJVL-së Nevzat Bejta të cilët do të shqyrtojnë të gjitha opsionet e mundshme për të marrë një zgjedhje të mirëfilltë me qëllim që të ketë një vazhdimësi të këshillave aktual dhe kryetarëve të Komunave – deklaroi Shyret Elezi, Ministre e Pushtetit Lokal.
Ne si BNJVL përshëndesim vendimin e Qeverisë përmes së cilës do formohet një grup pune për zgjidhjen e kësaj situate në të cilën tani gjendet pushteti lokal. Ne si BNJVL do marrim pjesë në mënyrë aktive në gjetjen e një zgjidhjeje se si të dilet nga kjo gjendje në të cilën ndodhet pushteti lokal – deklaroi Koce Trajanovski, Kryetar I BNJVL-së.
Zgjedhjet lokale nuk arritën të shpallen brenda afateve ligjore për shkak të mos zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit. Afati për shpalljen e tyre përfundoi më 6 mars.
Vjollca Aliti