LSDM ka bërë thirrje deri tek Nikolla Gruevski dhe udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së që ta pranojnë Programin e ri qeveritar nëse janë për një shtet unitar dhe të pavarur ku do të funksionoj drejtësia.
Ata kanë kërkuar që VMRO të përkrah Prokurorinë Speciale, të pranojnë realitetin e ri se janë në opozitë dhe të mundësojnë transferim të qetë të pushtetit, përcjell SHENJA.
“Gruevski dhe udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së, janë të gatshëm që për mbrojtjen e pasurisë së tyre të grumbulluar në mënyrë kriminele dhe për ikje nga përgjegjësia të shqetësojnë qytetarët me gënjeshtra, të nxisin dhunë dhe urrejtje, të lusin të jenë pjesë e Qeverisë. Maqedonia nuk duhet dhe nuk do të lejojmë që të futet në krizë të sigurisë vetëm për shkak se Gruevski nuk mund të pranoj se rreth 700 mijë qytetarë, gjegjësisht 67 deputetë kanë dhënë përkrahje për formimin e Qeverisë së re të Zoran Zaevit”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Nga LSDM thonë se është e nevojshme që Ivanov menjëherë të jep mandatin për formimin e Qeverisë së re.