Njohësit e rrethanave politike për gazetën Lajm kanë shprehur qëndrimet e tyre rreth formimit të Qeverisë si dhe rreth frikës së BDI-së për të shkuar më LSDM-në pa dhënë mandatin Gjorge Ivanov, shkruan gazeta Lajm.
Analisti politik Ismet Ramadani mendon se tanimë janë krijuar disa parakushte se BDI do ta ndjek LSDM-në në formimin e Qeverisë.
“BDI do pajtohet me të gjitha format e veprimit që do t’i koordinoj mandatari në këtë rast Zoran Zaevi. Por, sigurisht, edhe Zaevi do të bëj veprime të cilat, pothuajse në mënyrë filigranike do t’i konsultojë me faktorin ndërkombëtar perëndimor, SHBA-në dhe Bashkimin Evropian. Nëse kështu shkojnë punët besoj që edhe BDI do të pajtohet, sepse të gjitha gjasat shkojnë se Ivanovi me këtë presion që e ka nga BE do ta jep mandatin”, tha për gazetën Lajm Ramadani.
Sipas Ramadanit, BDI, me ndonjë përjashtim të individëve, po rrinë të rezervuar kur janë në pyetje deklarimet dhe porositë që po vinë nga kreu VMRO-së.
“Prandaj jo rastësisht ata si parti politike, nuk i komentojnë dhe nuk kanë përgjigje adekuate për të gjitha kërcënimet që vinë nga ata por është një zë që dëgjohet aty e këtu t’i themi që më shumë është individuale e jo partiake”, përfundoi Ramadani
Kryetari i Shoqatës së të burgosurve dhe të përndjekurve politik, Shpëtim Pollozhani thotë se BDI-së i qanë shpirti për VMRO-në, por dera ia ka zënë bishtin dhe do të futet në koalicion me Zaevin.
“Këtë e kërkon e gjithë bota perëndimore dhe rrymat demokratike në vend dhe jashtë. Zaevi ka deklaruar se do të bëjë konstituimin e Parlamentit do apo nuk do Gruevski. Tani punën në dorë e kanë marrë lojtarët globale dhe ato që na kanë futur në kuadër te sferave të veta të interesit. BDI do të futet në valle pasi nuk ka alternative tjetër, nga njëra anë i bëjnë presion ndërkombëtarët nga ana tjetër zgjedhjet lokale që janë në prag të derës”, deklaroi Pollozhani.