Gjashtë ditë para përfundimit të mandatit të VMRO-DPMNE-së për formimin e qeverisë së re, në media dhe opinion e më gjërë kanë filluar të qarkullojnë zëra se BDI e Ali Ahmetit është gjunjëzuar ndaj ish kryeministrit, Nikolla Gruevski. Thuhet që BDI dhe VMRO-DPMNE tani më janë marrë vesh për pikat kryesore të marrëveshjes për koalicion të ri dhe kjo marrëveshje pritet të shpallet së shpejti.
Ndonëse BDI këtë marrëveshje do të mundohet ta justifikoj me faktin që në përbërjen e re të qeverisë, disa nga funksionet kryesore do ti takojnë BDI-së, sipas analistëve politik asnjë lloj kompromisi nuk është i lejuar ndërmjet këtyre dy subjekteve politike. Kështu vlerëson edhe gazetari nga Prishtina Shkelzen Rrecaj.
“Lajmi se BDI do të merr disa poste “kyçe” nga VMRO, nuk e arsyeton koalicionin me këtë të fundit dhe nuk duhet të ketë asnjë lloj kompromisi me VMRO-në për formimin e qeverisë, duke patur parasysh se asgjë e mirë nuk pritet në favor të shqiptarëve të Maqedonisë. Partitë politike shqiptare tashmë që gjenden në këtë situatë dhe që janë një lloj kushti për ta formuar Qeverinë e Maqedonisë, në asnjë mënyrë nuk duhet të bëjnë koalicion me VMRO-në për shumë arsye. Si p.sh: mos njohja e identitetit shqiptar d.m.th shqiptarët nuk janë pjesë e kushtetutës së Maqedonisë. Simbolet shqiptare nuk respektohen nga Institucionet si etnia e dytë më e madhe në Maqedoni. Gjuha shqipe si gjuha e dytë më e madhe në Maqedoni nuk njehet zyrtarisht nga Institucionet e vendit, mos investimi në qytetet apo fshatrat të banuara me shqiptarë etj. E me këtë rast një koalicion i mundshëm mes BDI e VMRO nuk do të ndryshonte asgjë për shqiptarët e Maqedonisë”, deklaroi për Almakos, Shkelzen Rrecaj.
Sipas Rrecaj, partitë shqiptare ose duhet të qëndrojnë në opozitë ose duhet ta provojnë LSDM-në, ku edhe në këtë parti ka deputet shqiptar.
“E mira e të mirës do të ishte që shqiptarët të bashkohen që të mund ta marrin së paku ndonjë post të lartë siç është Presidentin apo edhe Kryetarin e Parlamentit, që të jenë sa më të unifikuar”, shtoi Rrecaj.
Nga ana tjetër analisti politik, Hadi Osmani nuk bën dallim në përfaqësimin e VMRO-BDI-së për shqiptarët, meqë sipas tij këto parti funksionojnë si një e përbashkët. Madje sipas Osmanit, funksionarët e BDI-së munden me qenë më besnik të Gruevskit se sa vet funksionarët e VMRO-së, si pasojë e shantazhimit të tyre.
“VMRO dhe BDI tani jan bërë një. Shumë pak rëndësi ka se kush do ti udhëheq postet dhe digasteret në një qeveri të korruptuar dhe kriminalizuar. Madje funksionarët e BDI-së në ato poste mund të jenë edhe më besnik ndaj Gruevskit se funksionarët e VMRO-së. E gjithë kjo pasi që thuajse shumica e zyrtarëve të BDI-së janë figura të cilat janë të kapur në korrupsione, dhe qëndrojnë peng i Gruevskit. Zgjedhjet u mbajtën për të dekriminalizuar shtetin dhe për të pavarësuar sistemin nga partitë dhe jo për të bërë pazarllëke mes partnerëve të deritanishëm”, deklaroi për Almakos, Hadi Osmani.
Ndryshe, nga burime partiake Brenda BDI-së, kanë thënë se për momentin është siguruar që kryetar i Kuvendit të jetë kuadër i BDI-së.
Për ta bërë edhe më të besueshme një qeveri të tillë ndërmjet VMRO-BDI-së, gjatë ditës së sotshme ka folur edhe deputeti i VMRO-së, Antonio Milloshovski. Sipas tij VMRO-DPMNE-ja shpreson që pikërisht parimi i fituesit me fituesin, të jetë shtysë që ta dërgojë këtë parti edhe në një mandat tjetër bashkëqeverisje me BDI-në.
“Për momentin ka një parim të përbashkët i cili ka mbështetjen e të dy palëve dhe kjo është që koalicioni të formohet në pajtim me vullnetin zgjedhor të votuesve dhe partitë që kanë fituar besim më të madh te mbështetësit e tyre dhe vlerësoj se kjo pikë e vogël e përbashkët të mund të jetë e dobishme gjatë bisedimeve. Për momentin nuk ka bisedime sa u takon posteve, flitet për përmbajtjen e çështjeve të caktuara konceptuale ku ka qëndrime të kundërta por në ditët e ardhshme shpresoj se do të hapen edhe bisedime në aspektin e posteve të mundshme”, ka thënë në një deklaratë për media, Antonio Milloshovski, deputet i VMRO-DPMNE-së./ Almakos