Kriza politike, ekonomia e dobët, puna e Prokuroria Speciale Publike, zgjedhjet e 11 dhjetorit janë këto disa nga gjërat të cilat për shumicën e qytetarëve të Maqedonisë e karakterizojnë vitin që po lëmë pas.
Disa prej tyre me shumë optimizëm presin që viti 2017 do të sjellë ndryshime, e disa të tjerë janë skeptic për një gjë të tillë.
“Vitin 2016 e mbajmë mend me shumë probleme, me shumë të këqija edhe 2017 mendoj se do të vazhdojë ashtu, ashtu siç kanë filluar këta ‘gazdallarët tanë’, mendoj se nuk do të bëjnë asgjë sikur ka filluar, por shpresoj që do të bëhet mirë, se nuk është koha ashtu si duhet të jetë.”, deklaroi një qytetar.
“Viti 2016, degjenerimet më të forta që kanë qenë prej kreut të shtetit, qoftë ministër, qoftë kryetar i shtetit. Dhashtë Zoti që të gjithë ata në njëfarë mënyre të mos përsëriten. Për kriminelët të mos ketë përkrahje, se popullata është shumë në tmerr dhe kur them në tmerr me të vërtetë është në tmerr. Por, varfëria është e madhe, dhashtë zoti që në këto zgjedhje të bëhet një koalicion i mrekullueshëm dhe të ndiqet krimi”, tha një qytetar.
“Besoj që nuk do të ndryshoj asgjë, ka sa vite që nuk ndryshon besoj që edhe 2017 do të jetë njejtë… Me atë që ndodhi në Kumanovë”, tha një qytetar tjetër.
E ndërkaq, kushtet më të mira ekonomike ngelen ëndërr për qytetarët e Maqedonisë.
“2016 do ta mbajmë mend me grupet kriminale shtetërore, që kanë bërë kërdi në Maqedoni. Për 2017-tën nuk pritet shumë, por mas 2017 ndoshta do të ketë ndonjë marrëveshje më të mirë.”, deklaroi një qytetar.
“2016 ishte vërtetë një vit shumë i vështirë, në aspekt politik. Maqedonia ballafaqoheshte me një krizë politike, shumë e rëndë për qytetarët, mendoj se me zgjedhjet e 11 dhjetorit do të bëhet më mirë. Nga natyra jam optimist, shpresoj se do të bëhet më mirë. ”, tha një qytetar.
Qytetarët shpresojnë se për dallim nga viti 2016, vitin 2017 do ta mbajnë mend për gjëra të mira, për suksese si në planin individual, ashtu edhe në planin shoqëror.