Bashkimi Europian duhet të hartojë një plan alternativ për përballimin e emigracionit, pasi Turqia kërcënoi se do ta braktiste akordin për frenimin e fluksit të refugjatëve drejt Europës. Kështu është shprehur ministri grek i Emigracionit për të përditshmen gjermane “Bild”.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu tha përgjatë fundjavës se, Ankaraja mund të braktisë marrëveshjen me BE-në, nëse blloku nuk iu ofron udhëtimet pa viza të premtuara turqve në këmbim të saj.
BE-ja 28-kombëshe, që së shpejti do të reduktohet në 27 si pasojë e “Brexit”-it, është e varur nga Ankaraja në zbatimin e marrëveshjes që ka reduktuar ndjeshëm numrin e refugjatëve dhe emigrantëve që largoheshin nga brigjet e Turqisë për në ishujt më të afërt të Greqisë. Por, teksa përballet me një krizë financiare tepër të thellë, Greqia ka vuajtur mjaftueshëm sa i përket përballimit të fluksit të tyre.
“Jemi shumë të shqetësuar, – tha ministri grek i Emigracionit, Yannis Mouzalas, për Bild. – Duam në çdo rast të kemi një plan B”.
Zv.kancelari gjerman, Sigmar Gabriel tha të hënën se, Europa nuk do të shantazhohet prej Turqisë në bisedimet për liberalizimin e vizave, të cilat kanë ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi legjislacionin turk të antiterrorizmit, si dhe prej trazirave të shkaktuara prej tentativës për grusht shteti të 15 korrikut.
Mouzalas, gjithsesi, bëri thirrje edhe për një shpërndarje të barabartë të refugjatëve në Europë, shumica e të cilëve vijnë nga Siria, Iraku dhe Afganistani, e që kanë për destinacion përfundimtar Gjermaninë dhe Suedinë. Por shumë vende të BE-së, si Hungaria dhe Sllovakia, kanë kundërshtuar ashpër sistemin e kuotave të propozuar nga BE-ja, për shpërndarjen e drejtë të tyre anembanë bllokut.
“Refugjatët duhen shpërndarë në mënyrën më të drejtë në të gjitha vendet e BE-së, e jo vetëm te disa shtete”, tha ministri grek.
Më shumë se 257 mijë emigrantë dhe refugjatë kanë hyrë në Europë përmes detit nga fillimi i këtij viti deri më 27 korrik, ndërsa të paktën 3.000 kanë humbur jetën në të tilla udhëtime të rrëzikshme me gomone të papërshtatshme për lundrim. Këto shifra janë më të fundit të publikuara nga Organizata Ndërkombëtare e Emigracionit (IOM), shifra të cilat përfaqësojnë një rritje të ndjeshme nga e njëjta periudhë e vitit 2015.