Qeveria serbe i ka dhënë kompanisë shtetërore ruse të hekurudhave zbatimin e projektit me fondet e Bashkimit Europian për rikonstruksionin e hekurudhës Nish-Shkup.
Një projekt që shkon më shumë se gjysëm miliardi euro tashmë do të administrohet nga rusët, të cilët do të vendosen pikërish në gjurmët ku do të kalojë kjo hekurudhë, e cila përbën dhe damarin kryesor të Korridorit 10.
Kjo nyjë transporti përbën dhe nyjen më të rëndësishmen e lidhjes së Azisë me Europën, pra nga Turqia-Selanik, Maqedoni e më pas në veri të Europës nëpërmjet Serbisë.
Por pikën thelbësore kjo hekurudhë, ose thënë ndryshe “nervin nevralgjik”, e ka pjesën shqiptare të kësaj hapësire ballkanike, siç është Lugina e Preshevës dhe zona e Kumanovës.
Kjo hekurudhë kalon në Bujanoc, Preshevë, Tabanoc dhe më pas në Kumanovë.
Por Bashkimi Europian ka kundërshtuar që një kompani ruse të trajtojë këtë nyje strategjike për sigurinë jo vetëm të rajonit por të gjithë Europës.
Siç bën të ditur e përditshmja serbe Danas, Bashkimi Europian është acaruar me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç, i cili në mënyrë të papritur ka anuluar vizitën në Bruksel dhe në Uashington.
Madje situata ka arritur nota të larta acarimi, pasi Vuçiç ka akuzuar qarqet europiane se po përgatisin një “kryengritje” ndaj tij, pas disa protestave që janë zhvilluar në Beograd.
Realisht, perëndimorët kanë ndryshuar qëndrim për Vuçiç, pikërisht pas vizitës së tij sekrete në Moskë dy javë më parë.
Ndërkaq, një fakt mjaft tronditës është se ndërsa në Tiranë mbahej Samiti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në Bujanoc u zhvillua një stërvitje ushtarake serbo-ruse e quajtur “Jug 2016”.
Ka shërbyer vetëm ky fakt për t’i dhënë zë argumentit se e ashtuquajtura “Qendër Humanitare serbo-ruse” nuk është gjë tjetër vetëm një stacionim militaro-kundërzbulues.
Ndërkaq, së shpejti pritet që në Luginën e Preshevës të vijë një numër i madh rusësh që do të punojnë dhe jetojnë për mbi dy vjet në trevat shqiptare.
Dyshimet janë që shumica e personelit nuk do të jenë punonjës civilë por xhenierë ushtarakë.
Politico.eu në një cikël shkrimesh për ofensivën ruse në Europë, bën të ditur se ka një plan të fuqishëm rus për të destabilizuar Ballkanin, ku rrezikohen zonat besnike të NATO-s si Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.
“Udha e frëngut”
13423914_10206548852333063_3917817861360118941_n
Hekurudha Beograd-Nish-Shkup, kalon nëpër vendbanimet shqiptare të Luginës së Preshevës, përkatësisht Bujanoc, Preshevë, Kumanovë, Shkup dhe më tutje.
Punimet më intensive po bëhen aktualisht në mes fshatit Corroticë dhe Raincë. Modernizimi i hekurudhës po bëhet që trenat në të ardhmen të lëvizin me shpejtësi prej 120-160 km në orë.
Ndërtimi i kësaj hekurudhe kishte filluar qysh në vitin 1885 nga sipërmarrës francezë dhe, për këtë arsye edhe sot e kësaj dite, popullata e kësaj ane e quan “Udhë e frengut”.
Qarkullimi nisi në vitin 1887, atëherë kur janë bërë spastrimet më të mëdha gjatë historisë shqiptare nga trojet autoktone të Nishit, Leskovcit, Vranjës, Surdulicës dhe vendeve tjera të Toplicës.
Kjo rrugë shënon të ashtuquajturin Korridorin 10 dhe është arterie e vetme e Beogradit për dalje në tregun e Greqisë, Azisë, Turqisë dhe Rusisë, përkatësisht në tregun euro-aziatik, i cili ka një peshë jashtëzakonisht të madhe ekonomike.
Me këtë korridor lidhet Lindja dhe Perëndimi dhe pikërisht Lugina e Preshevës është i vetmi rajon në Ballkan që lidh dy kontinente, si me hekurudhë, por edhe me autostradë dhe është korridori më i madh në Ballkan. Të ardhurat për Beogradin janë shumë të mëdha nga këto dy pika strategjiko-ekonomike për rajonin.