Abil Baush
Ajo që më brengos sot nuk është vetëm opozita apo vetëm pozita, por mënyra si prej vitesh të dyja palët e trajtojnë kapitalin njerëzor shqiptar, ata me fjalë e lavdërojnë, në praktikë e anashkalojnë.
Për një kohë të gjatë dëgjojmë të njëjtin justifikim moral si “nuk kemi kuadro profesionale”.
Por paradoksi është i thjeshtë se ata as nuk i përgatisin, as nuk i kërkojnë, as nuk i mbështesin kur ekzistojnë. Deklarata të papërgjegjshme nga funksionarë të lartë dhe emërime në poste apo komisione pa bazë profesionale janë vetëm simptoma, jo përjashtime.
Ky fenomen nuk është i ri, as i izoluar. Ka ndodhur edhe më herët, madje edhe në periudha kur flitej për “alternativë” dhe “ndryshim”. Por fakti që praktikat e gabuara përsëriten nuk i bën ato më pak të dëmshme.
Më shqetëson veçanërisht fakti që në emër të komoditetit politik, humbasim njerëz të përgatitur, profesionistë të realizuar, të cilët në vend se të jenë pjesë e vendimmarrjes, shtyhen drejt heshtjes, largimit ose cinizmit. Dhe duke tentuar të mos e humbin forcën afatshkurtër, politikat tona shqiptare po bëjnë dëmin më të madh afatgjatë ata po e zbrazin politikën nga mendimi, kompetenca dhe besueshmëria.
Pa kuadro nuk ka politika serioze.
Pa meritë nuk ka zhvillim.
Pa guxim për ndryshim do ketë vetëm riciklim të dështimit.


