Edhe këtë nëntor, Komuna e Tetovës ka paraparë një sërë aktivitete që kanë të bëjnë me muajin e nëntorit. Aktivitetet kryesisht kanë të bëjnë në sferën e kulturës dhe sportit. Ndërkohë, nga Komuna e Tetovës kanë bërë të ditur se disa aktivitete do të jenë të koordinuara me nivelin qendror dhe me komunat rurale në Pollog, siç është vizita në qytetin e Manastirit ku do të ketë organizim nga qeveria.
Në Tetovë, manifestimet fillojnë të hënën me mbrëmjen letrare që organizohet nga Komuna e Tetovës dhe Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum”. Pjesa dërmuese e aktiviteteve do të mbahen në objektin e ish Radio Tetovës ku edhe ndodhet qendra rinore, ndërsa disa aktivitete do të mbahen edhe në Qendrën për Kulturë në Tetovë.
“Po ashtu, të hënën hapet për vizitorë edhe muzeu kushtuar Mehmet Gegës dhe Rafi Halilit, ndërsa do të hapet edhe ekspozita “Gjuha jonë sa e mirë” me autor Arsim Sinani, Andrea Llukani. Ekspozita do të jetë e hapur deri më 28 nëntor nga ora 10 deri në orën 18. Ndërsa më 25 nëntor fillon turneu mbarëkombëtar në Volejboll në sallën Gjimnazit me pjesëmarrjen e ekipeve nga Drenica,Vlora, Presheva dhe Tetova. Ndërkaq, të njëjtën ditë, në orën 12 në Qendrën rinore tek ish Radio Tetova do të mbahet një aktivitet nga nxënësit, të cilët do të vizatojnë për nderë të Ditës së flamurit”, njoftoi Besarta Ramadani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
Aktivitetet më tej vazhdojnë me 26 nëntor ku do të mbahet kolonia artistike nga nxënësit e Shkollës së Mesme Komunale të Tekstiles në hapësirat e Shkollës fillore “Besa” në Reçicë të Vogël. Nuk do të mungojnë edhe aktivitetet tjera kulturore që kanë të bëjnë me festat e nëntorit.
“Një aktivitet mjaft i rëndësishëm është edhe koncerti që organizohet nga Komuna e Tetovës në bashkëpunim me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shtetërore në Qendrën për Kulturë në Tetovë. Krahas kësaj, do të ketë edhe një tryezë të rrumbullakët që do të organizohet në Qendrën rinore. Pra, janë aktivitete ku do të përfshihen sferat e kulturës, artit, sportit e kështu me radhë”, deklaroi zëdhënësja e Komunës së Tetovës, Besarta Ramadani.
Sipas informacioneve, tashmë edhe komunat rurale në Pollog janë duke përgatitur itinerarin e mbajtjes së aktiviteteve për të shënuar festat e nëntorit. (koha.mk)


