Avokati serb Çedomir Stojkoviq ka paraqitur disa dëshmi me të cilat thotë se dëshmohet që presidenti i tashëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte pjesë e “turizmit të snajperëve” gjatë rrethimit të Sarajevës.
Stojkoviq nër rrjetet sociale ka postuar një deklaratë të Vuçiqit dhënë në vitin 1994 për gazetën “Duga” e ku thoshte: “Shkova në Sarajevën serbe si vullnetar. Isha në varrezat hebraike për një kohë”.
Stojkoviq ka postuar edhe videon e Vuçiqit.
Ai ka thënë se varrezat hebraike po përmenden aktualisht si vendi ku “turistë” ishin sjellë nga ushtria e Radovan Karaxhiqit prëmes Beogradit për të vrarë civilë me snajperë, në atë që është quajtur “turizëm snajperësh”.
“Kjo po ndodhte pikërisht kur Vuçiqi, sipas rrëfimit të tij, ishte në luftë atje”, ka shkruar Stojkoviq.
Ai ka thënë dëshmi tjetër është edhe deklarata e Vojislav Sheshelit gjatë gjykimit në Hagë se “Vuçiqi kishte qenë vullnetar me Slavko Aleksiqin te varrezat hebraike”.
Stojkoviq ka thënë se është dëshmi se ky “safari snajperësh”, duke paguar për të vrarë civilët, po zhvillohej në kohën kur Aleksiqi po drejtonte atë zonë dhe Vuçiq ishte nën komandën e tij.
Ai po ashtu tha se ka xhirime ku Vuçiq shihet me atë që duket se është snajper. Thotë se video është e vitit 1993 dhe atë video e ka postuar.
Prokurorët në Milano kanë hapur një hetim ndaj italianëve që dyshohet se kanë paguar anëtarët e ushtrisë së serbëve të Bosnjës për të shkuar në Sarajevë, në mënyrë që ata të vrisnin qytetarë gjatë rrethimit katërvjeçar të qytetit në vitet 1990.
Më shumë se 10,000 njerëz janë vrarë në Sarajevë nga bombardimet e vazhdueshme dhe sulmet me snajper midis viteve 1992 dhe 1996, në atë që ishte rrethimi më i gjatë në historinë moderne, pasi Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë nga Jugosllavia.
Hetimi filloi nga një ankesë ligjore e paraqitur nga Ezio Gavazzeni, një shkrimtar me bazë në Milano, i cili mblodhi prova mbi akuzat, si dhe një raport të dërguar prokurorëve nga ish-kryetarja e bashkisë së Sarajevës, Benjamina Kariq.
Gavazzeni ka thënë se kishte lexuar për herë të parë raportet rreth “turistëve të dyshuar snajperistë” në shtypin italian në vitet ‘90, por vetëm pasi kishte parë “Sarajevo Safari”, një dokumentar i vitit 2022 nga regjisori slloven Miran Zupaniq, filloi të hetonte më tej.
Në dokumentar, një ish-ushtar serb dhe një kontraktor pretenduan se disa grupe perëndimorësh qëllonin popullsinë civile nga kodrat përreth Sarajevës. Pretendimet e tyre janë mohuar me forcë nga veteranët serbë të luftës.
“’Sarajevo Safari’ ishte pika e fillimit”, ka thënë Gavazzeni.
“Fillova një korrespondencë me drejtorin dhe që andej e zgjerova hetimin tim derisa mblodha materiale të mjaftueshme për t’ua paraqitur prokurorëve të Milanos”, ka shtuar ai.
Gavazzeni pretendon se shumë italianë dyshohet se janë të përfshirë, pa dhënë një shifër.
“Kishte gjermanë, francezë, anglezë… njerëz nga të gjitha vendet perëndimore që paguanin shuma të mëdha parash për t’u çuar atje për të qëlluar civilë.”
“Nuk kishte motive politike apo fetare. Ata ishin njerëz të pasur që shkonin atje për argëtim dhe kënaqësi personale. Po flasim për njerëz që i duan armët dhe që ndoshta shkojnë në poligone qitjeje ose në safari në Afrikë”, ka thënë ai.
Ai pretendon se të dyshuarit italianë takoheshin në qytetin verior të Triestes dhe udhëtonin për në Beograd, nga ku ushtarët serbo-boshnjakë i shoqëronin ata në kodrat e Sarajevës.
“Kishte një trafik turistësh lufte që shkonin atje për të qëlluar njerëz”, ka thënë ai.
Gavazenni ka shtuar se kishte identifikuar disa nga individët italianë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë dhe të cilët pritet të merren në pyetje nga prokurorët në javët e ardhshme.


