Pas pushimit të gjatë për shkak zgjedhjeve lokale, Kuvendi iu rikthye punës. Kreu i Kuvendit Afrim Gashi takoi koordinatorët e grupeve parlamentare për të diskutuar për ligjet më të rëndësishme që kanë mbetur pa miratuar. Në radhë të parë siç njoftoi Gashi, këtë muaj do të diskutohet për buxhetin.
Deri më datën 10 nëntor është afati për dorëzimin e amendamenteve dhe pastaj do të fillojë debati ndërsa deri më 9 dhjetor planifikon të thërrasë seancë.
I pyetur për ligjet që kanë mbetur ende pa miratuar, thotë se si Kuvend janë të gatshëm të vendosin në diskutim çdo ligj që dorëzohet por fatin e tyre e lë në duar të deputetëve. Disa nga ligjet që nuk janë miratuar ende janë ligji për vetqeverisje lokale, për lojërat e fatit por edhe kodi penal.
“Dera është e hapur për kodin penal. Edhe për këtë flasim me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe bëjmë presion deri te Qeveria që të sillet sa më shpejtë. Ne nuk duhet të përzihemi në pjesën materiale dhe nuk duhet të prejudikojmë se cila është përgjigja. E imja është ta vendosë në seancë dhe vullneti i shumicës është vendimtar se si kalon. Në një vit e gjysmë kemi punuar vazhdimisht pa ndalesa dhe më të rëndësishmet janë ligjet nga agjenda reformuese”, tha Afrim Gashi – Kryetar i Kuvendit.
Ndërkohë Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve konfirmoi deputetët e rinj Aleksandra Nikollovska, Mito Andonov dhe Martin Stojanovski nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Të njëjtit do të zëvendësojnë Jane Micevskin, Beti Stamenkovska Trajkovskën dhe Dejan Prodanovskin të cilët u zgjodhën kryetarë komunash. Pas kësaj është paralajmëruar se do të ketë ndryshime edhe në Qeveri. Pasi Izet Mexhiti u zgjodh kryetar komune, duhet të propozohen emra të rinj për zv.kryeministër të parë dhe ministër të ambientit jetësor. I pyetur nëse do të vazhdojë në detyrën e tij, ministri i shëndetësisë Azir Aliu njoftoi se në resorin e tij nuk do të ketë lëvizje.
“Dhe besoj që edhe po të ketë ndryshim, secili prej atyre do të kishte vazhduar aty ku është megjithatë ja ju informoj se nuk do të ketë ndryshime dhe do të shihemi përsëri”, u shpreh Azir Aliu – Ministër i Shëndetësisë.
Rikonstruimin e Qeverisë pas zgjedhjeve lokale e pati paralajmëruar vet kryeministri Hristijan Mickoski dhe atë që në muajin gusht. Sipas tij, ata që do të zëvendësohen, nuk do të thotë se nuk e kanë kryer punën si duhet, por se Qeverisë, gjithnjë i nevojiten kapacitete më të larta dhe ritëm më i shpejtë për ndryshimet që bëhen. / Alsat.mk


