Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, u deklarua sot për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale. Ai pranoi rezultatin, duke thënë se përzgjedhja e disa kandidatëve është dashur të mendohej më mirë në disa komuna, transmeton Portalb.mk.
“Dje, në raundin e dytë të votimeve ne morëm një përgjigje të qartë nga rezultatet. Faleminderit të Gjithëve! Dua të përgëzoj të gjithë kandidatët tanë të AKI-t për garën e ndershme dhe dinjitoze që patën. Ashtu si ata bashkohem në urimin për fitore të gjithë kandidatëve që fituan!”, shkroi Taravari.
Taravari shton se si koalicion kanë më shumë vota popullore por jo edhe kryetarë.
“Qartazi përzgjedhja e disa kandidatëve ishte dashur të mendohej më mirë në disa komuna. Gjithsesi në Gostivar dhe Vrapçisht qëlluam në shenjë, aty jemi fitues dhe kjo fitore është jo thjesht lokale, por aty fituam kundër një shteti që na mban peng me census”, shtoi kreu i ASH-së.
Ndër të tjera ai përmendi edhe euforinë paszgjedhore të fituesve dhe dhe çastet e vështira për ata që nuk ia dolën.
“Gjithsesi këto janë çaste të gëzuara me të drejtë për fituesit, janë çaste të vështira me të drejtë për ata që nuk ia dolën, janë çaste zemërimi për ata që u tradhëtuan, janë çaste qesharake për disa don kishotë që janë me grupin fitues vetëm sepse tradhëtuan, por me pak fjalë shumica është nën emocion dhe emocioni nuk lejon qartësi. Mua më ndihmon profesioni im të jem racional dhe i ftohtë përballë fakteve, dhe kam një pyetje: Me rezultatet e djeshme a fituan shqiptarët?! Edhe për ata që nuk e dinë përgjigjen, koha do ta tregojë fatkeqsisht shumë shpejt!”, përfundoi reagimin Taravari.
Ndryshe, AKI, ku bën pjesë edhe Taravari, në raundin e dytë arriti të merrte vetëm një komunë, atë të Studeniçanit.
Më 2 nëntor u zhvillua rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, ndërsa më 19 tetor u zhvillua rrethi i parë. Votimi në të dy raundet kaloi pa ndonjë incident serioz.

									 
					
