Enver Pajaziti ka shpallur sot zyrtarisht kandidaturën e tij të pavarur për postin e kryetarit të Komunës së Bërvenicës.
“Ju informoj se nga sot, zyrtarisht shpall kandidaturën time si kandidat i pavarur për kryetar të Komunës së Bërvenicës”, njoftoi Pajaziti.
Ai theksoi se vendimi për rikandidim erdhi pas konsultimeve të gjera me qytetarë të komunës, miq, përkrahës dhe anëtarë të diasporës. Sipas tij, katërvjeçari i fundit ka qenë i mbushur me lëshime dhe keqmenaxhime nga administrata aktuale komunale, çka e ka shtyrë të ndërmarrë këtë hap në shërbim të interesit të përbashkët.
“Kam ndjekur me vëmendje zhvillimet në komunë dhe kam vërejtur një sërë mangësish dhe keqmenaxhimesh nga udhëheqësia aktuale. Prandaj, vendosa të kandidoj, me qëllimin për të ofruar një alternativë më të përgjegjshme dhe më afër qytetarit”, shtoi ai.
Enver Pajaziti ka një përvojë të gjatë në udhëheqjen lokale, pasi ka qenë kryetar i Komunës së Bërvenicës për tre mandate radhazi, gjatë periudhës 2009–2021.