Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut mbështet vendimin e Prokurorisë Themelore Publike në Kumanovë për të hapur procedurat për shkak të thirrjeve nacionaliste dhe ksenofobike që u regjistruan gjatë ndeshjes së basketbollit midis ekipeve kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, të mbajtur më 2 gusht në Kumanovë, transmeton Portalb.mk.
“Veprim të tilla provokojnë urrejtje dhe intolerancë bazuar në përkatësi etnike, siç përshkruhet në nenin 319 të Kodit Penal. Tribunat sportive vazhdojnë të jenë një hapësirë ku përhapen mesazhe ofenduese dhe diskriminuese, veçanërisht në baza etnike dhe kombëtare. Gjuha e tillë, veçanërisht kur manifestohet publikisht, ka potencialin të shkaktojë përçarje të thella, të prishë kohezionin ndëretnik dhe ka potencial të shkaktojë krime urrejtjeje”, tha Komiteti i Helsinkit në një deklaratë.
Në garë, shtohet më tej, morën pjesë zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski, zëvendëskryeministrin Ivan Stoiljkovic, si dhe kryetarin e Komunës së Kumanovës dhe kreun e ZNAM, Maksim Dimitrievski.
“Është shqetësuese që asnjë nga këta zyrtarë të lartë nuk reagoi ndaj thirrjeve ofenduese gjatë ndeshjes. Politikanët nuk duhet të qëndrojnë indiferentë dhe kështu të normalizojnë gjuhën e urrejtjes, sepse duke vepruar kështu ata kontribuojnë në nxitjen e atmosferës së përçarjeve, tensioneve dhe destabilizimit. Komiteti i Helsinkit monitoron dhe reagon vazhdimisht ndaj gjuhës së urrejtjes, e cila është një nga faktorët kryesorë që çon në krime të urrejtjes. Përveç kësaj, etnia ka dominuar për vite me radhë si baza më e zakonshme për gjuhën dhe aktet e urrejtjes, dhe autorët dhe viktimat më të shumta janë të rinjtë”, thuhet në deklaratë.
Kjo është arsyeja pse Komiteti i Helsinkit beson se dënimi publik është më e pakta që mund të bëjnë strukturat politike, dhe se institucionet kompetente duhet të gjejnë dhe ndëshkojnë autorët.
“Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dënon fuqimisht përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë, sportivë dhe shoqërorë që të kundërshtojnë këtë fenomen dhe të mbështesin kulturën e tolerancës, dialogut dhe respektit për diversitetin. Komiteti i Helsinkit do të vazhdojë të monitorojë zhvillimin e ngjarjeve që lidhen me thirrjet ofenduese dhe diskriminuese. Sporti duhet të jetë një hapësirë për unitet, jo një platformë për përhapjen e gjuhës së urrejtjes”, thuhet në deklaratë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha se dënon thirrjet nacionaliste dhe ksenofobe kundër shqiptarëve gjatë një ndeshjeje të zhvilluar në Kumanovë.
Në Maqedoni të Veriut, në fundjavë, gjatë ndeshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në basketboll u dëgjuan thirrje sikurse “shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër”.
Në këtë ngjarje, të pranishëm ishin edhe kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq dhe ministri i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski.
Mickoski gjatë një prononcimi për media më 4 gusht tha se edhe pse ishte i pranishëm në sallë, nuk i “vura re” tifozët që brohoritën këto thirrje, pasi tha se “fjalë për një grup të vogël njerëzish”.
“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë – së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë [së Veriut] dhe Rumanisë, e më pas për të dërguar një mesazh te të gjitha grupet e tifozëve: të mbështesin në mënyrë sportive, ta përkrahin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë”, tha Mickoski.
Ai tha se thirrjet kundër shqiptarëve “do të jetë objekt hetimi dhe sanksionesh, pa marrë parasysh nga vjen”. Prokuroria maaqedonase ka nisur hetimet për këtë ngjarje.
“Dua të përsëris edhe një herë: e dënoj në mënyrë absolute brohoritjen e pazakontë dhe të papranueshme të disa individëve, të cilët nuk hasën në mbështetje nga asnjë prej të pranishmëve në sallë”, tha ai.
Kurse ministri i Sportit, Borko Ristovski, tha se kjo ministri nuk mund të reagojë konkretisht ndaj kësaj ngjarjeje, “sepse nuk vjen nga ndonjë subjekt sportiv – vjen nga tifozë në tribunë – dhe nuk kemi asnjë kompetencë për të reaguar kur bëhet fjalë për tifozët”.
“Megjithatë, le ta shfrytëzoj këtë rast për të bërë një apel: në Maqedoni nuk ka nevojë për brohoritje të tilla, as nga njëra anë, as nga tjetra, nga askush, nga cilado anë që të vijë”.
Ai shtoi se “nga pozita e Ministrisë së Sportit, nuk mund të bëjmë gjë tjetër përveç se të ndihmojmë në identifikimin e tyre dhe të veprojmë në përputhje me ligjin”.
Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parasheh dënime për thirrjet raciste dhe gjuhën e urrejtjes në disa nene, ndërsa më i rëndësishmi është neni 319, i cili parashikon se kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje apo jotolerancë mbi baza racore, fetare, etnike apo kombëtare, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.