Një tërmet me magnitudë 6.1 ballë të shkallës Rihter goditi kryeqytetin peruan dhe rrethinat e tij të dielën, duke vrarë një person dhe duke plagosur 36 të tjerë në kryeqytetin Lima dhe duke shkaktuar rrëshqitje toke dhe dëme në infrastrukturën shëndetësore dhe shkollore, thanë autoritetet në vendin e Andeve.
Tërmeti u regjistrua rreth orës 11:35 rreth 30 kilometra në jugperëndim të Callao, një qytet bregdetar rreth dhjetë kilometra nga Lima, sipas Qendrës Kombëtare Sizmologjike Peruane.
Policia njoftoi se një 36-vjeçar humbi jetën kur një mur u shemb mbi automjetin me të cilin po udhëtonte , në lagjen Independencia të kryeqytetit peruan. Nga ana e saj, qendra kombëtare e operacioneve të emergjencës (COEN) raportoi 36 persona të plagosur në Lima, njëri prej të cilëve është shtruar në spital.
“U bëj thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë”, tha presidentja Dina Boluarte, duke shtuar se nuk ishte lëshuar asnjë paralajmërim për cunami.
Videoja e transmetuar nga televizioni latin tregoi rrëshqitje toke në disa komunitete brenda dhe përreth Limës. Shërbimet e metrosë në kryeqytet u pezulluan për një kohë të shkurtër.