Kryetari i Lëvizjes Demokratike dhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, zhvilloi një takim të rëndësishëm me kongresmenin republikan nga Alabama, Robert Aderholt në të cilin është biseduar për një sërë çështjesh kyçe që prekin marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me fokus në forcimin e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve.
Të dy palët, siç bëri të ditur u pajtuan se thellimi i këtyre marrëdhënieve duhet të jetë një prioritet i përbashkët.
Mexhiti rikonfirmoi qëndrimin e palëkundur të Maqedonisë së Veriut për integrimin evropian, duke theksuar se vendi mbetet një faktor stabiliteti në rajon. Ai vuri në dukje rëndësinë e aleancës me SHBA-në si një mbështetje jetike për zhvillimin dhe sigurinë e vendit.
“SHBA-ja është partneri ynë kryesor strategjik dhe mbështetja e saj e vazhdueshme mbetet një garanci për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Vlerësojmë angazhimin e fortë dhe mbipartiak të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të rrugës sonë euroatlantike,” theksoi Mexhiti.
Kongresmeni Aderholt nga ana e tij konfirmoi përkushtimin e SHBA-së për forcimin e partneritetit me Maqedoninë e Veriut dhe mbështetjen për integrimin e saj në strukturat euroatlantike.