Komuna e Prishtinës ka reaguar me indinjatë të thellë ndaj sjelljes së asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, i cili sot ka demoluar Kuvendin komunal.
Në një deklaratë, komuna theksoi se “dënon ashpër dhe me indinjatë të thellë sjelljen e asambleistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, i cili vandalizoi sallën e Kuvendit Komunal, duke përdhosur institucionin dhe duke sfiduar parimet bazë të demokracisë”.
Ky akt i dhunës është një goditje brutale ndaj vlerave tona institucionale, duke paraqitur një fyerje të rëndë për qytetarët që presin nga përfaqësuesit e tyre të mbrojnë dhe avancojnë interesat e përbashkëta, jo të shkatërrojnë atë që u përket të gjithëve.
Vandalizmi i sotëm nuk është një rast i izoluar, por integrohet në një kontekst më të gjerë të veprimeve destruktive nga ana e asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Prej muajsh, ata kanë bllokuar çdo iniciativë që përfshin mirëqenien e qytetarëve dhe miratimin e buxhetit, duke krijuar pengesa të qëllimshme për shërbimet esenciale për qytetarët.
Me këtë akt, Vetëvendosje ka demaskuar veten, duke treguar se qëllimi i tyre i vërtetë është përdhosja e institucioneve dhe penalizimi i qytetarëve. Një sjellje e tillë është një shenjë e qartë e krizës morale dhe politike që ka përfshirë disa parti në vend.
Kjo akt është një turp për çdo qytetar dhe për çdo institucion demokratik. Është e nevojshme që të gjithë ne të reagojmë me forcë dhe të shprehim dënimin tonë për veprime të tilla të papranueshme.
Komuna kërkon që organet e rendit ta trajtojnë këtë rast me seriozitet maksimal, jo vetëm për pengesën që iu bë përfaqësuesve në ushtrimin e detyrave të tyre kushtetuese, por gjithashtu për dëmtimin e pronës publike, e cila është një trashëgimi e përbashkët për të gjithë qytetarët.
Institucionet nuk janë fushëbeteja për interesa të ngushta politike, por janë baza mbi të cilën ngrihet mirëqenia e qytetarëve. Veprime të tilla jo vetëm që janë të papranueshme, por janë gjithashtu të rrezikshme për stabilitetin tonë si shoqëri demokratike”, thuhet në përfundim të reagimit të Komunës.