Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka paraqitur të dhëna të reja mbi numrin e të punësuarve dhe shkallën e papunësisë në Kosovë.
Në një postim në Facebook, ai ka komentuar raportimet e fundit që janë bërë lidhur me një raport të Bankës Botërore.
“Për periudhën 3-vjeçare të Qeverisë Kurti, sipas raportit janë shtuar 78,427 vende pune,” ka shkruar Murati.
Ai gjithashtu e ka krahasuar këtë rritje me qeverisjet e kaluara, ku janë shtuar vetëm 44,228 vende pune për 8 vite.
Ministri theksoi se gjatë qeverisjeve të kaluara, kishte rritje të përkohshme të numrit të të punësuarve gjatë fushatave zgjedhore, e cila pastaj zhbëhej vitin pasues.
“I vetmi rast kur edhe pas vitit zgjedhor vazhdon rritja e punësimit, është në Qeverinë Kurti,” tha ai.
Murati përmendi gjithashtu se shkalla e papunësisë ka rënë nga 25.9% në vitin 2020 në 10.9% në fund të vitit 2023, duke e quajtur këtë “rënien më rapide të regjistruar ndonjëherë”.
Ai përfundoi duke theksuar se qeveria e tij është angazhuar për mbështetje të vazhdueshme të ekonomisë dhe se indikatorët e punësimit janë më të saktë për të reflektuar sukseset në këtë fushë.
“Qeveria Kurti ka shtuar gati dyfish më shumë vende pune sesa të gjitha qeveritë e kaluara bashkë, nga viti 2012 e këtej,” përfundoi Murati./Telegrafi/