Prokuroria themelore publike në Tetovë ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj dy personave të cilët në cilësinë e bashkëkryerësve kanë kryer veprën penale – Prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve.
Prokuroria Publike ka njoftuar se më 28 gusht dy të dyshuarit në atarin e fshatit Pallaticë mbanin lëndën narkotike marihuanë.
Oficerët e policisë i zbuluan në një kasolle të improvizuar teksa po ripaketonin drogën për shitje të mëtejshme. Janë gjetur dhe konfiskuar rreth 78 gramë marijuanë në disa pako më të vogla.
Gjatë arrestimit, njëri nga të dyshuarit ka shtyrë dhe goditur një polic, duke e plagosur, por shumë shpejt është arrestuar.
Ndaj tij ka nisur edhe procedimi për – Sulm ndaj një zyrtari gjatë kryerjes së punëve të sigurisë.
Prokurori publik kompetent i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Tetovë propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit.
Gjykata e pranoi propozimin dhe i caktoi të dyve masën e paraburgimit nga 30 ditë.