Agjencia Evropiane e Policisë (EUROPOL) ka njoftuar se personi që u arrestua më 4 gusht në Kosovë për prodhimin e qindra mijërave monedhave false në vlerë prej dy eurove “është identifikuar si punonjës i Ministrisë së Brendshme në Maqedoninë e Veriut”.
“Arrestimi i tij është kulmimi i operacionit disamujor mes autoriteteve kosovare dhe maqedonase me mbështetjen e EUROPOL-it dhe Eurojust [Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale]”, thuhet në njoftimin e EUROPOL-it.
Sipas njoftimit, 34-vjeçari i arrestuar në Prishtinë, dyshohet se ka falsifikuar qindra mijëra monedha prej 2 eurosh në dy vjetët e fundit.
Një ditë më parë, Prokuroria Speciale konfirmoi se i dyshuari ishte shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe se ndaj të njëjtit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.