Gjërat nuk po shkojnë ashtu siç duhet kohëve të fundit për Barcelonën. Pas humbjes në finale të Superkupës së Spanjës, eliminimit nga Copa Del Rey dhe lajmit për largimin e Xavit në fund të sezonit, blaugranasit tashmë kanë marrë një tjetër lajm të keq.
Klubi blaugranas përmes një njoftimi zyrtar bëri të ditur se Joao Felix ka pësuar një lëndim në stërvitje para duelit me Osasunën që zhvillohet nesër (e mërkurë).
“Në stërvitje mëngjesin e së martës lojtari i ekipit të parë Joao Felix ndrydhi ligamentin e kyçit të djathtë të këmbës. Ai nuk është në dispozicion për të luajtur dhe rikuperimi i tij do të diktojë rikthimin e tij”, thuhej në njoftimin e Barcelonës.
Sipas asaj që ka thënë klubi vetëm një mrekulli do ta shihte Felixin të rikuperohet në kohë për duelin ndaj Napolit në Ligën e Kampionëve më 21 shkurt.
Portugezi gjithashtu do të humbas duelin ndaj Osasunës, ashtu si dhe ndeshjet tjera të ardhshme ndaj Alaves, Granada, Celta Vigo, si dhe atë ndaj Getafes.
Tani, në mungesë të Felixit, Xavi me siguri do të mbështetet tek Lamine Yamal, Robert Lewandowski, Vitor Roque dhe Ferran Torres, ndërsa Raphinha po ashtu i lënduar, pritet që të rikthehet në kohë për duelin ndaj Napolit.
Të rinjtë si Marc Guiu dhe Pau Victor gjithashtu mund të kenë mundësinë që të ftohen nga Xavi dhe të marrin disa minuta gjatë javëvë në vazhdim gjithashtu./Telegrafi/