Shkruan: EDLIRA PALLOSHI DISHA
Lajmet/informatat e paanshme, kritike dhe të bazuara në fakte krijojnë një mjedis të shëndetshëm për diskutim dhe formësim të opinionit publik. Mirëpo, me zhvillimin teknologjik, modalitetet e informacionit në media kanë ndryshuar.
Sensacionalizmi dhe kultura e klikimeve e kanë pushtuar sferën publike, ku ofrimi i një hapësire për ide me këndvështrime të ndryshme, konstruktive dhe objektive që do të kishte ndihmuar formësimin e opinionit publik nuk është më një përpjekje. Tani, “pëlqimi inxhinierik” i Edward Bernays është më se i zbatueshëm, duke shtuar koston e ulët, kohën më të shkurtër dhe ndikimin më të shpejtë përmes përdorimit të mjeteve të mikro-targetimit të psikologjisë sociale. Në këto kushte, kur pëlqimi i votuesve është inxhinjeruar në mënyrë të pandërgjegjshme, ekziston dyshimi se a do ta mbështesin ata qeverinë e ardhshme demokratike apo jo. Kjo varet nga kush dhe për kë ata janë ndikuar.
Një nga kushtet e demokracisë është mundësia e zgjedhjes dhe aftësia e qytetarëve për ta ushtruar atë në mënyrë racionale. Demokracia është e vlefshme vetëm kur përfshin pjesëmarrjen e një elektorati të arsyeshëm të mirinformuar, siç edhe shkruan Brian McNair (2007). Përfshirja e qytetarëve të arsimuar dhe të mirinformuar në vendimmarrje është më se e nevojshme në një demokraci pluraliste. E drejta e votës është një e drejtë elementare e njeriut që duhet vlerësuar dhe zbatuar, ndërsa indiferenca apo apatia politike pengon proceset e një shoqërie që përpiqet drejt demokratizimit. Sipas Norberto Bobbio (1987), dështimi më i shquar i sistemit demokratik liberal është mungesa për të krijuar një votues të arsimuar dhe racional. Dhe kjo reflektohet në apati politike.
Çrregullimi informativ ndikon në demokraci dhe ka pasoja afatgjata në mbjelljen e dyshimit dhe konfuzionit.
Përveç kësaj, kur është fjala për zgjedhjet, fushatat dezinformuese e shtojnë aktivitetin e tyre për të ngatërruar me qëllim votuesin, për të ulur pjesëmarrjen dhe për të minuar besimin në vlerat dhe sistemet demokratike. Me të gjitha këto përpjekje që bëhen në vazhdimësi, a mund të jemi të sigurt dhe si mund të themi se qytetarët janë të mirinformuar dhe të gatshëm për të bërë zgjedhje racionale në zgjedhjet e ardhshme?
Besimi në institucionet e një vendi dhe besimi në media janë faktorë kyç që një shoqëri të ndjehet e sigurt dhe të ketë qytetarë aktivë, të cilët janë të gatshëm të kyçen në aktivitete politike, sociale, ekonomike dhe kulturore në rrethin e tyre.
Për më tepër, ka shumë pyetje legjitime për t’u bërë qeverive demokratike kur shkalla e pjesëmarrjes nuk është kurrë afër maksimumit. Shumë studiues janë përpjekur t’i kuptojnë shkaqet e pjesëmarrjes në zgjedhje, nga motivet individuale deri te kushtet sociale dhe statusi arsimor, që mund të inkurajojnë një person të votojë ose të abstenojë.
A është dezinformimi shkak apo pasojë e brishtësisë shoqërore dhe çrregullimit politik?
Mjedise të favorshme për ngritjen dhe zhvillimin e fushatave të dezinformimit si një kërcënim përfundimtar për vlerat demokratike të asaj shoqërie janë: vendet e pasluftës, vendet me shoqëri më të polarizuara, vendet me trashëgimi të ndarjeve dhe dallimeve etnike dhe fetare, sistemet e mediave të papërcaktuara ose të brishta, mungesa e besimit në institucionet e mediave, si dhe përqindja e lartë e përdoruesve të rrjeteve sociale dhe mediave onlajn.
Humprecht et al. (2020) krijuan një kornizë të shoqërive që janë më reziliente ndaj dezinformimit, përmes treguesve të matshëm për analizën krahasuese ndërkombëtare të faktorëve të vendit. Kështu, vendet më të ndjeshme ndaj dezinformimit onlajn u karakterizuan me nivele të larta të polarizimit, me komunikim populist, përqindje të lartë të përdorimit të mediave sociale dhe besim të ulët, dhe mjedis të politizuar dhe të fragmentuar (Humprecht dhe bashkautorë, 2020).
Në këtë kontekst, vendet e Evropës Juglindore si vende pas-konflikteve dhe pas-komuniste që përpiqen për demokratizim dhe për t’u integruar me BE, duke trashëguar ndarjet ndëretnike dhe fetare, si dhe shoqëritë e polarizuara dhe të politizuara me besim të ulët në media dhe qeveri dhe nivel të ulët të gazetarisë profesionale, bëhen më të prekshme nga dezinformimi, qoftë nga aktorët vendas ose nga ata të huaj, që shfrytëzojnë sistemin e mediave onlajn të parregulluar në rajon. Në një rast të tillë, dezinformimi është më shumë një simptomë e një shoqërie të brishtë nga ndarjet shoqërore dhe politike sesa një shkak, siç edhe vlerëson raporti i Greene dhe bashkautorë. (2021) për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kështu, fushatat dezinformuese janë një amplifikues (shumëfishues apo përforcues) i një shoqërie tashmë të përçarë, që nxit tensione politike dhe mosdurim ndëretnik, ul besimin publik në institucione dhe media, duke krijuar, në kthim, apati kolektive.
Sipas Statistikave të Barometrit të Ballkanit për periudhën 2017 deri në 2020, besimi në qeveri nuk kalon 50 për qind të popullsisë në çdo vend të Ballkanit Perëndimor, duke çuar në numra të ulët të pjesëmarrjes së votuesve në secilin vend (Greene, dhe bashkëautorë, 2021). Për më tepër, Statistikat e këtij Barometri për vitin 2023 tregojnë se përqindja e mosbesimit të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor në partitë politike arrin në 75% (Balkan Barometer, 2023).
Media ka një rol ekzistencial si një mbrojtës i demokracisë në një vend, me qëndrimin e saj kritik ndaj qeverisë dhe veseve negative të shoqërisë, duke qenë monitorues i sistemit të kontrollit dhe balancës, duke parandaluar qeverinë nga ushtrimi i pushtetit të saj unanim. Kur një gazetar dështon në prezantimin e fakteve për publikun për arsye politike, ekonomike apo të tjera, ose madje paraqet analiza pa bazë argumentuese, përmbajtje të qëllimshme ose fsheh pjesë të informacionit, ai çorienton audiencën dhe shtrembëron formimin e opinionit publik. Ndërsa, përmes informacioneve objektive, të verifikuara dhe të paanshme, media mund të ndihmojë në përpjekjet e shoqërisë për të qenë sa më demokratike. Siç thekson Voltmer (2013), kushti që qytetarët të jenë në gjendje të bëjnë zgjedhje inteligjente për të ardhmen e tyre është të marrin informacion të cilësisë së lartë për kandidatët dhe partitë politike.
Mirëpo, kur qytetarët janë të pasigurt për marrjen e një vendimi politik dhe automatikisht kërkojnë më shumë informacion për ta lehtësuar vendimin e tyre, sfera onlajn është e mbushur me informata të rreme, manipuluese, gjysmë të vërteta, një paketë fushatash dezinformimi që i shërbejnë një agjende politike ose biznesi të një grupi të interesit. Fushatat dezinformuese sulmojnë edhe shoqëritë demokratike më të avancuara, por tek shoqëritë me demokraci të brishtë ose vendet në tranzicion kanë më tepër ndikim.
Nga analiza e zgjedhjeve të dy viteve të fundit në vendet e Ballkanit Perëndimor, Greene dhe bashkautorë (2021) arritën në përfundimin se faktorët më të dukshëm që rrezikojnë integritetin e procesit demokratik të zgjedhjeve nuk janë vetëm fushatat e dezinformimit që shpërndajnë gjëra të pavërteta ose informacion të pasaktë për kandidatët, por ka edhe faktorë brenda dhe jashtë vendit që kontribuojnë në procesin e përgjithshëm të komprometuar:
- Nivele të ulëta pjesëmarrjeje;
- Krijimi i partive të reja;
- Aspekte të sistemeve zgjedhore që kanë më shumë mundësi të dobësojnë integritetin e procesit (për shembull, sistemet e listave të mbyllura në të cilat votuesit nuk kanë mundësi të zgjedhin kandidatët);
- Mbështetje e jashtme për parti të caktuara (përfshirë mbështetje financiare dhe deklarata politike të hapura).
A po krijohet një shoqëri mosbesimi?
Gati çdo vit, qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë ballafaquar me zgjedhje lokale, parlamentare ose presidenciale. Pra, nga viti 2016 deri në vitin 2021, zgjedhje janë mbajtur çdo vit. Pjesëmarrja e votuesve është gjithmonë afër minimumit, përveç në vitin 2016 (afër 70%), kur ndërgjegjësimi i qytetarëve për rrëzimin e regjimit autoritar u rrit. Në një mënyrë të ngjashme, përqindja më e lartë e pjesëmarrjes së votuesve në Maqedoninë e Veriut u përjetua gjatë zgjedhjeve parlamentare demokratike të para në Maqedoni si shtet i pavarur të vitit 1994, me 77.6% (Shih më tepër tek tabela nr.1– Të dhënat e analizuara kanë përdorur rezultatet zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nga viti 2016 deri 2021).
Gjatë kohës më vendimtare për vendin, Maqedonia e Veriut përjeton fushata të organizuara dezinformuese të huaja, të mbështetura dhe shpërndara kryesisht nga mediat onlajn vendore dhe kryesisht nga partitë politike konservatore dhe e majta ekstreme maqedonase (Denkovski, 2020).
Disa nga fushatat më aktive dhe agresive të dezinformimit në vitet e fundit që kanë ndikuar në qytetarët e vendit ndodhën gjatë Referendumit të vitit 2018 për anëtarësimin në NATO dhe BE dhe për ndryshimin e emrit të vendit (Metodieva, 2022), si dhe gjatë Regjistrimit të popullatës në vitit 2021 (Trajanoski, 2022), i cili u organizua pas 19 vitesh. Përhapja e fushatave dezinformuese zakonisht prek narrativat më të ndjeshme për shtetin. Ata ndërlidhen me çështjet identitare dhe ndëretnike për të nxitur konflikte ose për të çorientuar rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Përdorimi i fushatave dezinformuese përmes propagandës kompjuterike – algoritmeve, automatizmit dhe inteligjencës artificiale, ndikon në proceset demokratike të një vendi, veçanërisht gjatë proceseve të vendimmarrjes, siç janë zgjedhjet. Raporti i Bradshaw dhe Howard (2019) tregoi se fushatat e manipulimit ishin të pranishme në 70 vende në të gjithë botën dhe u përdorën për të formësuar qëndrimet e opinionit publik, për të shtypur të drejtat themelore të njeriut, për të diskredituar kundërshtarët politikë dhe për t’i heshtur opinionet kundërthënëse.
Në këtë raport, ndër shtete të tjera demokratike dhe jodemokratike, Maqedonia e Veriut u identifikua si një nga vendet ku aktivitetet kibernetike morën pjesë përmes manipulimit të mediave sociale, përkatësisht llogarive të rreme në Facebook dhe Twitter: të automatizuara (bots) dhe njerëzore (human). Në RMV këto strategji u përdorën për të përhapur mesazhe polarizuese të krijuara për të nxitur përçarje brenda shoqërisë si dhe për të demotivuar pjesëmarrjen përmes ngacmimeve apo sulmeve personale. Aktorët që përdorën strategji për ndikim përmes mediave sociale, ndër të tjerë, u identifikuan se ishin politikanët dhe partitë, ‘influencerët’ dhe qytetarët. Këto strategji komunikimi përdorën manipulimin mediatik për të mashtruar si dhe për të shumëfishuar mesazhet dhe përmbajtjet me hashtag (Bradshaw & Howard, 2019).
Gjatë fushatave zgjedhore, ambienti onlajn i informacionit në Maqedoninë e Veriut bëhet një fushëbetejë e dezinformimit. Mediat onlajn kane një rol kritik këtu, ku narrativat me ndjenja nacionaliste, diskreditimi i ndonjë figurë publike, ose nxitja ndëretnike, përpiqen të ulin vlerat demokratike dhe të ndalojnë rrugën e vendit drejt BE-së. Gjithashtu, kjo ul besimin në media dhe institucione.
Orientimi politik ka një ndikim të madh tek qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe ata janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj fushatave të dezinformimit. Për më tepër, studimi (Disha Palloshi dhe bashkëautorët, 2023) sugjeron se personat me orientim politik janë më të ndjeshëm ndaj dezinformatave politike.
Në të kundërtën, personat që nuk identifikohen me ndonjë parti politike dolën të jenë më rezilient ndaj dezinformatave politike (Disha Palloshi & Rustemi, 2022). Në të njëjtën kohë, këta persona deklaruan se nuk kanë votuar në zgjedhjet e fundit në vend dhe se ishin më pak të interesuar për politikë. Sado që numri i pjesëmarrësve në hulumtim nuk e përfaqëson tërë popullatën e RMV-së, përsëri është një indikator i qartë për mosdaljen në zgjedhje, kur mosha mesatare e popullsisë së Maqedonisë së Veriut është 38.8 (Datareportal, 2023), dhe kur grupmosha më reziliente dhe që ka abstenuar më së shumti në zgjedhjet e fundit në RMV është mosha 31-45 vjeç, sipas këtij hulumtimi.
Sidoqoftë, nëse i krahasojmë të dy grupet dhe interesin e tyre për politikë, hulumtimet treguan se nuk ka ndonjë dallim të konsiderueshëm midis individëve me përcaktim politik dhe atyre që nuk kanë përcaktim politik, me një dallim të vogël në përqindjen e individëve të papërcaktuar politikisht që kanë më pak interes në politikë, gjë që është e pritshme.
Si një shoqëri e ndjeshme dhe e brishtë multietnike, Maqedonia e Veriut ka dështuar në unifikimin e qytetarëve të saj përreth një qëllimi të përbashkët. Nuk ka arritur të krijojë një ndjenjë kombëtare të fuqishme që do të përfaqësonte të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë e që do të formonte kohezionin shoqëror. Mendësitë kulturore dhe etnike ndryshojnë, dhe nuk ka sfidë të përbashkët që t’i bashkojë ato.
Nëse grupmosha më aktive e qytetarëve refuzon të marrë pjesë në zgjedhje, si mund të sigurohemi që qeveria e ardhshme do të jetë demokratike? Apatia politike e grupmoshës më aktive në një shoqëri e lë qeverinë në letargji, e bindur se do të fitojë zgjedhjet e ardhshme pa përpjekje të mëtejshme për proceset e demokratizimit dhe për të përmirësuar standardin e jetesës së qytetarëve. Procesi i demokratizimit do të thotë përgjegjshmëri, transparencë dhe përgjegjësi. Pjesëmarrja më e madhe politike e qytetarëve detyron qeverinë të fitojë simpatinë e shumicës më të madhe në vend, e jo vetëm elektoratin e saj partiak.
Kur flitet për ndikime të huaja dhe fushata dezinformimi, duhet të kujtojmë se fuqia e tyre varet drejtpërsëdrejti nga mjedisi i përshtatshëm ekzistues që ato të marrin formë dhe të krijojnë kuptim. Ndërkaq, rezilienca ndaj dezinformimit nga individët që nuk janë të përcaktuar politikisht, e të cilët, pas të gjithave, tregojnë interes për çështjet politike, hap dyert për partitë politike dhe politikanët për reflektim dhe veprim se si ta mobilizojnë këtë elektorat pasiv.
Autorja është doktorante në Media dhe Komunikim dhe hulumtuese e Ekipit hulumtues për Edukim Mediatik dhe Dezinformim (MeDisInfo) në Institutin “Max van der Stoel” të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL)
Për më tepër: https://mvdsi.seeu.edu.mk/epalloshi/