Një gjë pretendohet në titull, e krejt tjetër në tekst. Kjo mënyrë e informimit të pasaktë është dukuri e shpeshtë në mediat online në vend.
I tillë është shembulli me portalin Lider.mk, i cili më 25.10.2023 publikoi tekstin me titull: “Vendet nga Ballkani Perëndimor ia kaluan Maqedonisë sipas indeksit të sundimit të ligjit, Maqedonia ra për katër pozita”.
Siç shkruan në fillim të tekstit, sipas Indeksit më të ri Global për Sundimin e Ligjit të publikuar sot nga Projekti Botëror për Drejtësi, Maqedonia e ruajti renditjen e saj në vendin e 67-të në mesin e 142 vendeve me një rezultat prej 0.53, njëjtë si në tre vitet e mëparshme.
Mirëpo, më poshtë në tekst, portali Lider boton të dhëna që hedhin poshtë pretendimin nga titulli. “Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Kosova kanë një renditje më të mirë në listën e përgjithshme, përkatësisht në vendin e 57-të, gjegjësisht të 58-të, me nota prej 0.56. Bosnja dhe Hercegovina është më e dobët në vendin e 75-të me një indeks prej 0.51. Shqipëria dhe Serbia renditen në vendin e 91, përkatësisht 93-të me 0.48. Turqia është në vendin e 117-të me notën 0.41”, thuhet në tekstin e Lider.mk.
Prandaj, konstatimi i Lider.mk në titull, se “Vendet e Ballkanit Perëndimor ia kaluan Maqedonisë sipas indeksit të sundimit të ligjit…” është i pasaktë, sepse Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Serbia kanë renditje më të ulët se Maqedonia e Veriut, ndërsa renditje më të mirë kanë Mali i Zi dhe Kosova.
Përveç kësaj, siç shihet nga publikimet zyrtare të Komisionit Evropian, Turqia nuk konsiderohet si pjesë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Çfarë mund të konkludohet nga ky rast? Publiku duhet ketë kujdes për atë që shkruhet në titujt, të lexojë tekstet në tërësi dhe të kërkojë informacion nga më shumë burime. Gjithsesi, mediat nuk duhet të bëjnë pretendime të pasakta në titujt e lajmeve, të cilat shpesh përdoren si grepa sensacionale për të rritur lexueshmërinë, sepse një qasje e tillë ndikon në uljen e besimit të publikut në media.