Të dhënat nga hulumtimi i fundit në Maqedoni të Veriut tregojnë se një e treta e nënave vuajnë nga simptomat e depresionit gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes, ndërkaq tek 28 % prej tyre është vërejtur edhe prania e ankthit. Hulumtimi i Klinikës Universitare për Psikiatri është bërë në periudhën pas pandemisë së koronavirusit, të cilin e prezantoi dr. Stefanija Mitrovska gjatë manifestimit të sotëm të organizuar me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor. Dr. Mitrovska thotë se ngritja e vetëdijes së publikut të gjerë dhe profesionistëve për këto vështirësi me të cilat ballafaqohen gratë gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes është me interes të veçantë për klinikën.
DR.STEFANIJA MITROVSKA NGA KLINIKA UNIVERSITARE E PSIKIATRISË
“Në hulumtim u tregua se një e treta e të anketuarave shfaqin simptoma klinike të rëndësishme të depresionit dhe po aq përballen edhe me ankthin . Shëndeti i nënës është i rëndësishëm për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës. Ne kemi një sllogan që thotë: ‘Nënë e shëndetshme, fëmijë i shëndetshëm, fëmijë i shëndetshëm, shoqëri e shëndetshme”
Mitrovska tha se së fundmi ka vënë re se për këtë temë po flitet më shpesh në media dhe rrjete sociale, por duhet t’u tregohet edhe nënave se si mund ta marrin ndihmën.
DR.STEFANIJA MITROVSKA NGA KLINIKA UNIVERSITARE E PSIKIATRISË
“Rrallëherë dikush di të kërkojë ndihmë. Nëse një grua njeh vështirësi në shëndetin mendor në vetvete, ne e inkurajojmë atë që të vizitojë mjekun e saj të përgjithshëm për një referim te një specialist për vlerësim të mëtejshëm. Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjithë mjekëve në kontakt me gratë në lindje të njohin shenjat e shëndetit mendor të dëmtuar dhe të pyesin gratë se si ndihen. Është e rëndësishme që kolektivisht të ndërtojmë mbështetje”.
Statistikat në përgjithësi tregojnë se 1 në 8 persona vuajnë nga vështirësitë e shëndetit mendor. Këto sfida nuk ndikojnë vetëm në mirëqenien mendore, por ndikimi i tyre reflektohet edhe në funksionimin social dhe profesional të personit, e si rrjedhim edhe në shoqërinë në tërësi.
Sipas të dhënave, kategori veçanërisht vulnerabël janë adoleshentët. Sipas të dhënave nga hulumtimi i fundit në Maqedoni, simptomat klinike të depresionit janë regjistruar tek 29,2 %të të rinjve, ndërsa simptomat klinike të ankthit janë të pranishme në 23,7% në periudha pas pandemisë së koronavirusit.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/