Deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe në konferencën e sotme për media theksoi se është i bindut se janë siguruar votat e nevojshme për rikonstruimin e Qeverisë.
“Ne kemi marrëveshje mes partnerëve të rinj të koalicionit. Ne jemi të bindur se ata numra janë siguruar. Nuk besoj se dikush do të hynte në avantura të tilla pa u siguruar ata numra. Megjithatë, ajo që ne si Aleancë për Shqiptarët mund ta garantojmë është se tetë votat tona do të jenë ‘për’. Për këtë mumdemi me garanci të themi. Megjithatë, nuk kam dyshim se numrat janë siguruar. Këtu nuk ka dyshim”, tha Snopçe.
Duke u përgjigjur në një pyetje të gazetarëve rreth vlerave të cilat i ofron Aleanca për Shqiptarët si partner i ri qeveritar, Snopçe tha se një vlerë është të japin mbështetje me qëllim që Qeveria të funksionojë dhe me kapacitetet të cilat i kanë të bëjnë përpjekje që të instalohen “vlera të drejta dhe të vërteta”.