Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë ka bërë të ditur se janë të informuar për vdekjen e Artan Zymberit më nënshtetësi norvegjeze në burgun e Mitrovicës Sremit në Serbi, për të cilin familja Zymberi pretendon se është vrarë vetëm sepse kishte tatuazh në gjoks Adem Jasharin, emblemën e UÇK-së dhe Skënderbeun.
“Shërbimi i Jashtëm Norvegjez ka njoftuar të afërmit dhe ka ofruar ndihmë konsullore për familjen”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së norvegjeze. Autoritetet lokale janë përgjegjëse për kushtet e burgjeve në Serbi, duke përfshirë shëndetin dhe sigurinë e të burgosurve. Çdo pyetje në lidhje me rrethanat e vdekjes duhet t’u drejtohet autoriteteve serbe”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së së Norvegjisë për Abanianpost.
Por, nuk kanë dhënë më shumë detaje për rastin në fjalë, pasi siç kanë thënë “për shkak të legjislacionit norvegjez për detyrën e fshehtësisë”.
Zymberi po ashtu në një prononcim për Periskopin, i ka hedhur dyshimet për vrasjen e nipit të tij për shkak të tatujave kombëtare që kishte i ndjeri Artan në trup.
“Çka po di unë, e kanë zënë me do tableta, hapa, nuk e di as vet me çfarë hapa dhe u burgos atje. Dhe madje e kanë dënuar me tre vjet”, ka shkruar ai. Ne po dyshojmë se ky ka pasur, tatuazh, Adem Jasharin në gjoks, Skënderbeun në tjetrën anë, shqiponjën, ka pasur edhe emblemën e UÇK-së. Ky nuk e ka ditur as gjuhën serbe, se ai u lind e rritë në Norvegji. Kanë dyshime se serbët gjithçka bëjnë”, ka shtuar ai.
KMDLNj kërkon që sërish të bëhet obduksioni
Ndërsa Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar nga familjarët që sërish të bëhet obduksioni për të, deri në pasqyrimin e rrethanave të vdekjes së tij.
“KMDLNj rekomandon familjen e të ndjerit që pas tërheqjes së kufomës së të ndjerit Artan Zymberi të kërkojë që të bëhet përsëri obduksioni dhe ekspertizë shtesë për të hequr dilemat apo vërtetuar dyshimet e vdekjes”.
Nga komunikata e KMDLNJ-së bëhet e ditur se i ndjeri ishte i dënuar me 3 vite burg në mbajtje të dënimit mbi 1 vit, ndërsa në fillim të vitit të ardhshëm do të transferohej në një institucion korrektues në Norvegji, ku do të mbante dënimin e mbetur.