Shoqata e Qytetarëve të Zenicës “Zambaku i artë” ia ndau pllakën me Zambakun e Artë zëvendës presidentit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) z. Mahmut Çevik, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas deklaratës së dhënë nga shoqata, z. Çevikut iu dha çmimi i Zambakut të Artë për mbështetjen vetëmohuese dhe zhvillimin e shoqërisë boshnjake në fusha të ndryshme, nga ajo kulturore deri tek ajo ekonomike, veçanërisht në restaurimin e trashëgimisë kulturore dhe historike të Bosnjës e Hercegovinës e cila u shkatërrua gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.
Këtë çmim z.Çevikut ia dorëzoi kryetari i Shoqatës “Zambaku i Artë”, Sherif Patkoviq.
“Z. Çevik është një mik i Bosnje-Hercegovinës dhe qytetarëve të saj, i cili përpiqet të drejtojë njohuritë dhe energjinë e tij dhe të ndihmojë kategoritë më të cenueshme të shoqërisë boshnjake, për të cilën ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës dhe kjo pllakë është një pjesë simbolike dhe shprehje e respektit më të thellë për të”, tha Patkoviq.