Në prag të samitit të Berlinit me krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimorë Kancelarja gjermane Angela Merkel nëpërmjet një video mesazhi ka deklaruar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropjan. Merkel theksoi se në Ballkanin Perëndimor ka ende shumë sfida, se mosbesimi dhe nacionalizmat ende nuk janë zhdukur, ndërsa kontestet bilaterale mund të shpërthejnë në çdo çast dhe prandaj nevojitet pajtim. Kjo, sipas kancelares gjermane do të thotë tejkalim i të kaluarës dhe bërja e gjithçka që është e mundur që gjeneratat e ardhshme të jetojnë në paqe.
“Ballkani Perëndimor është fqinj i drejtpërdrejtë i BE-së. Është pjesë e Evropës ku plagët e luftërave ende nuk janë shëruar, ndërsa shumë qytetarë në atë rajon jetojnë edhe në Gjermani. E kam të qartë se vendet e BE-së duhet të kenë interes për zhvillim të qetë në Ballkanin Perëndimor. Ne praktikisht jemi përgjegjës të përpiqemi për zhvillim në atë pjesë të Evropës.”, tha Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë
Përkrahje për vendet e Ballkanit perëndimorë këtyre ditëve pati edhe nga SHBA-të.
Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Metju Palmer i cili ishte pjesmarrës në forumin dyditorë të Ohrit, ka shprehur keqardhjen e SHBA-ve që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk morën datën për fillimin e bisedimeve me BE-në. Duke shprehur përkrahjen amerikane për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë Palemer ka shfaqur shpresë se BEja do të gjejë mënyrë për mbajtjen e konferences ndërqeveritare me dy vendet.