Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka deklaruar se nesër do t’i drejtohet zyrtarisht Partia Demokratike e Shqipërisë me një kërkesë për informacion lidhur me procedurat dhe arsyet e përjashtimit të tij nga partia.
I ftuar në emisionin “Repolitix” në Report TV, Salianji tha se do të kërkojë të dijë se kur është marrë vendimi dhe mbi çfarë baze është ndërmarrë ai.
Salianji u shpreh kritik ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, duke e akuzuar për mungesë të demokracisë së brendshme dhe kontroll të plotë mbi proceset në parti. Sipas tij, gara për drejtimin e partisë nuk ka qenë e barabartë, pasi kandidatët e tjerë janë penguar të marrin pjesë.
Ai theksoi se takimet me demokratët janë pjesë e angazhimit të tij politik brenda PD-së dhe një mënyrë për të nxitur debat publik dhe alternativa të reja politike.
Ndër të tjera, Salianji deklaroi se Berisha mban përgjegjësi për humbjen e thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e hartimit të listave dhe programit politik. Ai shtoi gjithashtu se, sipas tij, shumica e anëtarësisë së PD-së nuk e mbështet më Berishën.


