Dhurata Çupi, deputetja e PD për qarkun e Dibrës, Dhurata Çupi, ka treguar se Rruga e Arbrit nuk ka përfunduar ende dhe se ajo u hap sot vetëm për propagandë.
Sipas saj, nxitimi për të shpallur, në ditën e ndarjes së shqiptarëve, hapjen e Rrugës së Arbrit, kur rruga akoma nuk ka mbaruar sipas kontratës, është, më e pakta, tallje me dibranët.
Ajo kërkon nga kryeministri Rama që t’u thotë dibranëvë dhe shqiptarëve a do të paguajnë ata deri në 8 euro për një udhëtim vajtje-ardhje në Rrugën e Arbrit, kur rruga të përfundojë sipas kontratës?!
Reagimi i plotë i deputetes
Nxitimi për të shpallur, në ditën e ndarjes së shqiptarëve, hapjen e Rrugës së Arbrit, kur rruga akoma nuk ka mbaruar sipas kontratës, është, më e pakta, tallje me dibranët. Dështimi i qeverisë për të mbajtur premtimin e përfundimit të rrugës në prill dhe dështimi i premtimit për ta përfunduar rrugën në fund të këtij viti nuk mund të mbulohet nga propaganda e qeverisë.
E vërteta është se rruga që na ka kushtuar 400 miliardë lekë është e papërfunduar dhe hapja e sotme është propagandistike.
Në vend të mashtrimeve, qeveria duhet t’u thotë dibranëvë dhe shqiptarëve a do të paguajnë ata deri në 8 euro për një udhëtim vajtje-ardhje në Rrugën e Arbrit, kur rruga të përfundojë sipas kontratës?



